E Diel, 1 Nëntor 2026

Master i Shkencave për Turizmin, Universiteti “Fan S. Noli” çel programin e ri “Turizmi Smart dhe Zhvillimi Rajonal”

Zhvillimi i vrullshëm i sektorit të turizmit dhe nevoja për specialistë të kualifikuar kanë sjellë hapjen e një programi të ri studimi në Universitetin “Fan Noli”.

Duke nisur nga viti akademik 2026-2027, Fakulteti i Ekonomisë do të ofrojë programin “Master i Shkencave” në “Turizmi Smart dhe Zhvillimi Rajonal”, një program i konceptuar për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit.

“Duke qenë se ka qenë një bashkëpunim shumë i frytshëm midis tre departamenteve të Universitetit Fanoli, departamentit të Marketing-Turizmit, Agroushqimit dhe Histori Gjeografisë për të kontribuar në një master e cila ka qenë një kërkesë e tregut. Kemi bërë takime të ndryshme me aktorë të ndryshëm, me institucione publike dhe private dhe ka qenë si një domosdoshmëri hapja e një masteri të tillë duke pasur parasysh që edhe turizmi është një prioritet i rajonit të Korçës”, tha Prof. Asc. Dr. Lorena Zeqo, zv.rektore për mësimin.

Programi është hartuar në përputhje me tendencat më të fundit të zhvillimit të turizmit dhe kërkesat e tregut të punës.

“Zhvillon shumë aftësitë për përdorimin e teknologjive moderne, bën të mundur për promovimin e zhvillimit rajonal, përmirëson normalisht konkurrencën e destinacioneve të ndryshme turistike, por përgatit edhe drejtues, ekspertë duke nxitur dhe kërkimin shkencor dhe inovacione, sepse kërkimi shkencor është një pjesë shumë e rëndësishme e masterave shkencore”, u shpreh Zeqo.

Universiteti “Fan Noli” vijon të zgjerojë ofertën akademike me programe bashkëkohore, që krijojnë mundësi më të mëdha punësimi dhe i përgjigjen nevojave të zhvillimit ekonomik të rajonit dhe vendit.

Gazetare: E. Fili      

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›