Sako: Rilindja urbane transformoi qytetet, parkimi dhe trafiku mbeten sfidë reale dhe e përditshme

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, në cilësinë edhe të kryetares së Shoqatës Kombëtare të Bashkive vlerësoi programin Rilindja Urbane 2.0 si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e bashkive dhe forcimin e rolit të tyre në ekonomi.
Sako kujtoi se, pas reformës territoriale të vitit 2015, programi i Rilindjes Urbane solli një ndryshim të dukshëm në qytetet shqiptare, përmes ndërhyrjeve në qendrat urbane dhe hapësirat ku zhvillohet jeta sociale e ekonomike e komuniteteve.
“Programi i Rilindjes Urbane ka bërë një ndryshim thelbësor në qytetet e Shqipërisë, duke ndërhyrë në qendrat kryesore të tyre, aty ku qytetarët takohen dhe ku zhvillohet jeta sociale e ekonomike”, u shpreh Sako, ndërsa theksoi se ky është një program kompleks i ndërtuar mbi 11 shtylla, ku çdo bashki do të ketë mundësi të gjejë hapësirën e saj për të aplikuar dhe përfituar nga projektet e parashikuara.
Kryetarja e bashkisë Durrës veçoi menaxhimin e parkimeve dhe trafikut si një nga sfidat më të mëdha të qyteteve, e cila ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në ekonominë lokale.
“Sot, parkimi dhe trafiku janë një sfidë reale dhe e përditshme. Programet e prezantuara na japin mundësinë të ndërtojmë një mentalitet të ri, duke i parë bashkitë jo vetëm si institucione administruese, por edhe si gjeneruese të ardhurash, përtej burimeve tradicionale tatimore”, tha Sako.
Ajo theksoi se kjo qasje krijon mundësi të veçanta për bashkitë bregdetare, përmes menaxhimit të hapësirave publike të plazheve. Sako tha se disa bashki, mes tyre Lezha, Shkodra dhe Vlora, kanë nisur zbatimin e modeleve të tilla, ndërsa bashkia Durrës po përgatitet të ndërmarrë hapa në këtë drejtim.
Një tjetër instrument i rëndësishëm për kthimin e bashkive në aktorë ekonomikë, sipas Sakos, janë skemat e shoqërive të përbashkëta bujqësore.
Sako bëri të ditur se në 21 bashki janë ngritur deri tani rreth 33 shoqëri të përbashkëta, ndërsa procesi pritet të shtrihet edhe në bashki të tjera të vendit.
“Programi është tejet ambicioz dhe viti 2030 nuk është larg. Përmes tij, si bashkitë e vogla ashtu edhe ato të mëdha do të kenë mundësi të përshtaten me programet dhe të bëhen pjesë e tyre”, deklaroi Sako.
Sako theksoi se bashkëpunimi dhe angazhimi maksimal i njësive të vetëqeverisjes vendore do të jenë vendimtarë për suksesin e programit në të gjithë vendin.
/e.i/j.p/r.e/