Materniteti “Koço Gliozheni”, depistim falas për sëmundjet paraneoplazike dhe kancerin e qafës së mitrës

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Gjatë muajve qershor – gusht 2026 nis fushata për depistimin e sëmundjeve paraneoplazike dhe kancerit të qafës së mitrës, në kuadër të projektit mbarëkombëtar për shëndetin e gruas.
Kjo fushatë organizohet nga Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe nën patronazhin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bëri të ditur sot se “të gjitha gratë e moshës 35-55 vjeç që paraqiten në institucion sipas sistemit të referimit për kryerjen e Pap Test-it, do të përfitojnë FALAS edhe testimin për HPV”.
Sipas MSHMS, të gjitha gratë e moshës 35-55 vjeç që paraqiten pranë institucionit për probleme të tjera gjinekologjike ose që dëshirojnë të kryejnë depistimin në mënyrë vullnetare, do të kenë mundësi të përfshihen në këtë program depistimi.
Depistimi është i rëndësishëm për shëndetin e gruas, pasi kanceri i qafës së mitrës është një nga sëmundjet që mund të parandalohet dhe të trajtohet me sukses kur diagnostikohet në fazat e hershme.
Kryerja periodike e Pap Test-it dhe testimit për HPV ndihmon në identifikimin e ndryshimeve parakanceroze përpara se ato të evoluojnë në sëmundje malinje.
Depistimi i rregullt mbetet mënyra më efektive për mbrojtjen e shëndetit të gruas dhe reduktimin e rasteve të kancerit të qafës së mitrës.
/k.s/j.p/r.e/