E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla “22 Tetori” në Berat, funksionale për rreth 500 nxënës të arsimit 9-vjeçar

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Shkolla “22 Tetori” në Berat është gati dhe do të mirëpresë në një hapësirë dinjitoze, moderne dhe funksionale rreth 500 nxënës të arsimit 9-vjeçar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo shkollë, me klasa me standarde bashkëkohore, laboratorë modernë, mjedise “smartlab”, si edhe ambiente sportive brenda dhe jashtë shkollës.

Më shumë se një godinë e re, Rama tha se kjo shkollë është konceptuar si një qendër komunitare për qytetin, me hapësira të dedikuara për artin dhe zejet, ku pas orarit të mësimit mund të bashkohen nxënës, mësues, prindër dhe i gjithë komuniteti.

Pas gjimnazit “Babë Dudë Karbunara”, i ndërtuar më herët, edhe shkolla “22 Tetori” do t’u ofrojë rreth 500 nxënësve kushte bashkëkohore mësimi.

Shkolla përfshin salla multifunksionale, laboratorë, bibliotekë, dhomë mjeku, hapësira për nxënësit me aftësi ndryshe, palestër, si dhe ambiente ndihmëse.

Arkitektura e re e shkollës plotëson ansamblin e qendrës së qytetit, së bashku me sheshet e reja, rrugët e rehabilituara me kalldrëm dhe gjimnazin “Babë Dudë Karbunara”.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›