E Martë, 3 Nëntor 2026

Matura Shtetërore, maturantët flasin pas përfundimit të testit të matematikës

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Mbi 27 mijë maturantë në të gjithë vendin zhvilluan sot provimin e Maturës Shtetërore në lëndën e matematikës.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu përcolli në rrjetet sociale mesazhet e disa prej maturantëve në gjimnazin “Arben Broci” në Tiranë, të cilët pas përfundimit të provimit folën për emocionet, nivelin e vështirësisë së testit, administrimin dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit.

“Pas përfundimit të provimit të matematikës maturantët tregojnë për ecurinë e procesit, nivelin e vështirësisë së testit dhe emocionet gjatë provimit”, tha Manastirliu.

Një nxënëse tha se “në fillim kisha emocione se matematika është një lëndë e vështirë, por tani që e mbarova e kalova me sukses”.

“Niveli i testit ishte mesatar, thënë nga dikush që nuk ka prirje për matematikë. I plotësova të gjitha”, tha një tjetër nxënëse.

Një nxënës u shpreh se “si fillim nuk kisha shumë emocione, deri në fund të testit punova i qetë. Kishte 2-3 ushtrime që ishin pak të vështira, por ishin të zgjidhshme”.

“Modeli i testit nga MAS na ndihmoi shumë për të arritur rezultate shumë të mira në këtë test”, tha një nxënës.

Një tjetër nxënëse u shpreh se “administratorët ishin shumë të qetë na lanë të punonim deri në moment të fundit. Isha pak e emocionuar në fillim, por duke parë ecurinë e bërjes së testit u ndjeva më komode dhe i bëra të gjitha”.

Pas provimit të matematikës maturantët do të zhvillojnë provimin me zgjedhje më 24 qershor.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›