Maturën Shtetërore, 6 qendra provimi do të presin 1466 maturantë, trajnohen mbikëqyrësit

Përgatitjet për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore në Shkodër kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Sipas specialistit të Zyrës Vendore të Arsimit, Eduart Plepi janë përcaktuar 6 qendra provimi, të cilat do të presin në total 1466 maturantë, ndërsa po punohet për krijimin e kushteve të përshtatshme në çdo ambient ku do të zhvillohen testimet.
Nga ana tjetër, ka përfunduar edhe procesi i trajnimit të 1100 mësuesve mbikëqyrës, të cilët do të jenë përgjegjës për mbarëvajtjen e provimeve, duke garantuar respektimin e rregullave dhe standardeve të përcaktuara.
Provimet e Maturës Shtetërore do të nisin më 2 qershor me provimin e Gjuhës së Huaj, do të vijojnë më 9 qershor me Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, më 16 qershor me Matematikën dhe do të përmbyllen më 23 qershor me provimin me zgjedhje.
Gaztare: M. Gjoni
/rtsh.al/