E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca lë në fuqi përjashtimin e 6 deputetëve. Noka: Nga 30 ditë, na përjashtuan deri në mars

Mazhoranca socialiste la të pandryshuar vendimin për përjashtimin me 30 ditë të 6 deputetëve të opozitës pas tensioneve dhe kaosit të krijuar në seancën e fundit plenare të vitit të kaluar.

Ky vendim i mban jashtë Kuvendit deri në fillim të muajit mars deputetët e Partisë Demokratike Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Klevis Balliu, Flamur Noka dhe Elda Hoti.

Pas mbledhjes së Byrosë së Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar ashpër ndaj vendimit për zgjatjen e afatit të përjashtimit të gjashtë deputetëve të opozitës nga seancat plenare.

Nga 30 ditë që ishte parashikuar fillimisht, afati është shtyrë deri në muajin mars, duke nxitur akuza të forta nga opozita ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama.

Në një prononcim për mediat, Noka deklaroi se, “Kjo është derexheja ku e ka çuar Rama Kuvendin. Përjashtimi nis me 30 ditë, tani afati i përjashtimit vazhdon e shtyhet në kundërshtim me çdo rregullore dhe statusi të deputetit deri në mars. Është thënë një muaj, tani po e çojnë tre muaj. Gjashtë deputetët janë përjashtuar deri në mes të marsit. E kuptoni?”

Ai akuzoi kryeministrin Rama se po përdor vendimin për të goditur opozitën, që sikurse ai shprehu, “Rama ka kërkuar përjashtimin e opozitës, do të marrë peng parlamentin. Afati përjashtimit vazhdon e shtyhet në kundërshtim me çdo rregullore deri në mars. Është thënë një muaj, e çuan tre muaj. Edi Rama ka shpallur armiq ata që kanë denoncuar kartelet e drogës. Vendimin do e çojmë në gjykatë.”

Ai tha se vendimi është i padrejtë dhe se opozita do ta ankimojë në gjykatën Administrative.

“Përjashtimi fillon nga data 23 dhjetor dhe flitet deri nga data 3 mars. Ne jemi armiq të Edi Ramës dhe narkosit dhe s’na lejohet të shkelim në Kuvendin e Shqipërisë. Pavarësisht se mandatin na e kanë dhënë qytetarët, mandatin kërkon të na e marrë në mënyrë të përkohshme Edi Rama.”

Mbledhja e Byrosë së Kuvendit u shoqërua me debate të forta, ku demokratët e transmetuan “live” në rrjetet sociale.

Në këtë mbledhje u shqyrtua ankimimi i Partisë Demokratike për përjashtimin e gjashtë deputetëve me 30 ditë nga pjesëmarrja në seancat plenare.

Deputetët e opozitës të përjashtuar janë Belind Këlliçi, Fidel Kreta, Albana Vokshi, Klevis Balliu, Flamur Noka dhe Elda Hoti, të cilët u penalizuan nga Komisioni i Etikës më 23 dhjetor, pas tensioneve në sallën e Parlamentit ku u hodhën flakadanë. Partia Socialiste kishte kërkuar përjashtimin e tyre pas incidentit të seancës së 18 dhjetorit.

Mbledhja e Byrosë së Kuvendit si hallka e fundit ku shqyrtohen ankesat e deputetëv, u shoqërua me debate dhe përplasje mes palëve.

Opozita i kërkoi kryetarit të kuvendit  që mbledhja të ishte e hapur për mediat, por kërkesa u rrëzua nga mazhoranca. Më tej opozita e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe të njëanshëm.

Demokratët paralajmëruan se beteja do të vijojë dhe  do t’i drejtohen Gjykatës Administrative.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›