Policia Rrugore e Tiranës shton kontrollet: Procedohen 59 drejtues mjetesh për drejtim nën efektin e alkoolit në një javë

Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet dhe monitorimin në akset kryesore të kryeqytetit, duke përdorur shërbime të shtuara dhe logjistikë bashkëkohore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Gjatë javës së fundit janë evidentuar dhe ndëshkuar një sërë shkeljesh të Kodit Rrugor:
Drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit: janë proceduar penalisht 59 drejtues mjetesh, nga të cilët 6 janë arrestuar për shkak të rrezikshmërisë së lartë për jetën e përdoruesve të rrugës. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Mosrespektimi i radhës në qarkullim: 76 drejtues mjetesh janë ndëshkuar, pasi kjo shkelje krijon rrezik të drejtpërdrejtë për aksidente dhe pengon qarkullimin normal, veçanërisht gjatë fluksit të lëvizjes.
Parkim i gabuar: 53 automjete janë hequr me karrotrec, duke liruar hapësira publike dhe duke mundësuar lëvizjen e mjeteve të transportit.
Policia Rrugore apelon sërish për gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin drejtimin në gjendje të dehur dhe të tregojnë kujdes dhe përgjegjshmëri gjatë lëvizjes në rrugë, duke theksuar se siguria rrugore është detyrë dhe përgjegjësi e përbashkët.
/rtsh.al/