E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbahen në Pogradec homazhet për policin e vrarë Enea Mekolli, “Dëshmor i Atdheut”

Janë mbajtur këtë të premte (5 qershor) homazhet në nderim të efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili u qëllua për vdekje një ditë më parë në në Lozhan të Maliqit gjatë aksionit për arrestimin e të kërkuarit Violand Braçellari.

Homazhet janë mbajtur në Pogradec në vendlindjen e tij. Mekolli u shpall “Dëshmor i Atdheut” pas rënies së tij në krye të detyrës.

Ditën e djeshme, pas ngjarjes tragjike, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari dhe Drejtori I Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita shkuan në Korçë për t’i shprehur nga afër ngushëllimet familjes së të ndjerit.

Kujtojmë se 34-vjeçari Enea Mekolli, mbeti i vrarë gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, Maliq, për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Braçellari. Gjatë rrethimit të stanit ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari, policia i bëri thirrje të dorëzohej, por ai hapi zjarr ndaj efektivëve, duke vrarë Mekollin dhe plagosur një tjetër punonjës policie, 36-vjeçarin E.A.

Forcat e policisë iu kundërpërgjigjën sulmit, duke plagosur Braçellarin, i cili më pas u arrestua. I kërkuari ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet e 11 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vendngjarje u nis edhe helikopteri i shëndetësisë për transportimin e të plagosurve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›