Mbetje në grykëderdhjet e Semanit dhe Vjosës, nis pastrimi i bregdetit

Pas vërshimeve të lumenjve Seman dhe Vjosë gjatë javës së kaluar, tonelata me mbetje urbane dhe inerte pushtuan zonat bregdetare në Fier, duke detyruar autoritetet vendore të nisin një aksion të gjerë për pastrimin dhe grumbullimin e tyre.
Aksioni nisi këtë të enjte (4 dhjetor) dhe do të vazhdojë deri në heqjen dhe largimin e të gjitha mbetjeve nga punonjës të Ndërmarrjes së Pastrimit, me mjete dhe makineri të rënda.
Bëhet fjalë për tonelata me mbetje plastike, inerte dhe drusore, të cilat janë transportuar gjatë rrjedhës së lumenjve Vjosë dhe Seman, duke përfunduar në detin Adriatik, në Darëzezë dhe Seman.
“Gjatë këtyre ditëve kemi bërë një inspektim të dy zonave bregdetare. Kemi bërë një plan masash për pastrimin e të gjithë zonës së bregdetit. Përgjithësisht ka ndotje nga mbetjet urbane, por shumica e mbetjeve janë lëndë drusore. Plazhet nuk i pastrojmë vetëm në periudhën e verës, por edhe në periudhat kohore gjatë dimrit”, tha kryetari i bashkisë, Armando Subashi.
Aksioni pritet të zgjasë dy javë, ku do të përfshihen, përveç punonjësve, edhe mjete si skrep dhe eskavatorë për largimin e mbetjeve.
/rtsh.al/