Mbetjet e rrezikshme, projektvendim i ri për gjurmueshmërinë dhe kontrollin - ATSH -
TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Vendosja e një sistemi të kontrolluar për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme, nga momenti kur krijohen deri në trajtimin përfundimtar, është synimi i projektvendimit të ri të publikuar për konsultim publik.
Përmes rregullave të unifikuara për ambalazhimin, etiketimin, transportin dhe magazinimin, si dhe gjurmueshmërisë elektronike të çdo transferimi, synohet të parandalohet keqmenaxhimi i tyre dhe të ulet rreziku për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.
Projektvendimi “Për ambalazhimin, etiketimin, transportin, gjurmueshmërinë, magazinimin e përkohshëm dhe dokumentin e dorëzimit të mbetjeve të rrezikshme” i propozuar nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, përcakton detyrime të reja për të gjitha subjektet e përfshira në menaxhimin e tyre, duke përfshirë krijuesit, zotëruesit, grumbulluesit, transportuesit dhe marrësit në dorëzim.
Një nga risitë kryesore është vendosja e gjurmueshmërisë elektronike përmes Sistemit të Integruar Mjedisor (SIM). Çdo dokument dorëzimi do të pajiset me një identifikues unik elektronik, duke mundësuar ndjekjen e mbetjeve gjatë të gjitha fazave, deri në përfundimin e operacionit të rikuperimit ose asgjësimit.
Projektvendimi parashikon gjithashtu standarde të unifikuara për ambalazhimin dhe etiketimin, ku do të përcaktohen të dhënat identifikuese, kodi i mbetjes, vetitë e rrezikshme dhe numri unik i ambalazhit ose lotit. Etiketa do të përmbajë edhe shënimin dygjuhësh “Mbetje të rrezikshme/ Hazardous Waste”.
Rregulla të posaçme përcaktohen edhe për magazinimin e përkohshëm, përfshirë kushtet teknike të ambienteve, sinjalistikën dhe afatet maksimale të ruajtjes. Këto kërkesa synojnë parandalimin e rrjedhjeve, derdhjeve, përzierjes së papajtueshme të mbetjeve, zjarreve dhe shpërthimeve.
Sa i përket transportit, projektvendimi përcakton kërkesat për subjektet dhe mjetet që kryejnë këtë veprimtari, si dhe procedurat e dokumentimit të çdo transferimi. Gjithashtu, parashikohet detyrimi për klasifikimin dhe identifikimin e saktë të mbetjeve, përfshirë kryerjen e analizave nga laboratorë të akredituar, kur kjo është e nevojshme.
Për zbatimin e kërkesave të reja, subjektet do të duhet të mbajnë evidenca për mbetjet e menaxhuara, të raportojnë të dhënat në Sistemin e Integruar Mjedisor dhe të sigurojnë trajnimin e personelit të përfshirë në këto procese.
Projektvendimi është hartuar në zbatim të ligjit nr. 57/2025 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe përafron legjislacionin shqiptar me Direktivën 2008/98/KE të Bashkimit Evropian për mbetjet, në kuadër të Kapitullit 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”.
Me miratimin e projektvendimit të ri do të shfuqizohet vendimi nr. 371, datë 11.6.2014, i Këshillit të Ministrave, i cili rregullon aktualisht dorëzimin e mbetjeve të rrezikshme dhe dokumentacionin përkatës.
Projektvendimi parashikon një periudhë gjashtëmujore për përshtatjen e subjekteve me kërkesat e reja, ndërsa dokumentacioni në format letër do të përdoret deri në vënien në funksionim të modulit përkatës në SIM.
Për zbatimin e tij do të ngarkohen ministria përgjegjëse për mjedisin, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e mjedisit.
/k.s/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
