E Premte, 6 Nëntor 2026

Tekste të reja në shkolla, mësuesit: Nxënësit janë ndërveprues, e shkëpusim nga të mësuarit mekanik

Këtë vit shkollor, nxënësit e shkollave 9-vjeçare, por edhe ata të klasës së 10-të, kanë nisur të mësojnë me tekste të përditësuara dhe të reja, duke i bërë ato më të thjeshta dhe më të kuptueshme për fëmijët.

Mësuesit, të cilët tashmë janë familjarizuar me këto tekste, sqarojnë se ato përthithen lehtë nga fëmijët dhe se janë të organizuara në mënyrë të tillë që nxisin kreativitetin tek ta. Një ndihmë e madhe gjatë procesit mësimor janë edhe tekstet digjitale.

“Theksi këtë vit është vendosur shumë te përdorimi i mjeteve digjitale, që është një lehtësi për të gjithë ne. I kemi librat digjitalë dhe libri e ka vetë brenda të përfshirë edhe videon e përshtatshme për moshën e tyre. E bën fëmijën që të jetë më i vëmendshëm, e tërheq pamja, ndërkohë që fëmijët lidhin pjesën vizuale me gjithë pjesën tjetër dhe për ta bëhet më e thjeshtë mbajtja mend e materialit dhe njëkohësisht pastaj të punojë mbi atë material, të fillojë të drejtojë pyetje, të japë zgjidhje”, tha një mësuese.

Koordinatorja e sigurimit të cilësisë në shkollën “At Zef Pllumbi” sqaron se tekstet e reja e largojnë fëmijën nga mënyra e të mësuarit mekanikisht dhe nxisin të punuarit në grup.

“Sot nuk ka më mësim mekanik. Të mësuarit mekanik mendoj se i ka ngelur brezave të mëparshëm. Sot rritet kreativiteti i fëmijës. Nxitet fëmija t’i japim të drejtën e mendimit të tij. Bëhet debat në klasë”, tha ajo.

Me ndryshimet e teksteve shkollore, paralelisht është zhvilluar edhe trajnimi i mësuesve, për t’i bërë të gatshëm që nga ky shtator të vënë në zbatim kompetencat e kurrikulës së re.

Reforma e re kurrikulare ka nisur këtë vit me klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta dhe do të vijojë deri në vitin 2029.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›