Mbi 1 milion mjete rrugore, dominojnë Volkswagen dhe Mercedes

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Në tremujorin e katërt të vitit 2025, numri i mjeteve rrugore në qarkullim në Shqipëri arriti në 1.048.092, me autoveturat që përbëjnë 80,8 % të totalit, ndërsa motorët përbëjnë 6,1 % dhe automjetet për transport të përzier 5,8 %.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), Tirana zë peshën më të madhe të mjeteve, me 34,7 % të totalit, e ndjekur nga Durrësi me 13,6 %. Numrin më të ulët e kanë Gjirokastra dhe Kukësi, përkatësisht 2,1 % dhe 2,4 %.
Gjatë këtij tremujori janë regjistruar për herë të parë 24.854 mjete, nga të cilat 81,2 % ishin autovetura. Qarku i Tiranës kryeson regjistrimet e reja, me 40,3 % të totalit.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, numri total i mjeteve është rritur me 9,3 %, ndërsa regjistrimet e reja kanë shënuar rritje prej 8,5 %.
Në mesin e automjeteve të regjistruara për herë të parë, Volkswagen kryeson me 18,6 %, ndjekur nga Mercedes-Benz me 17,5 %. /j.p/
