Mbi 13 mijë të trajnuar nga programet e formimit profesional, rritet pjesëmarrja e të rinjve dhe grave

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Gjatë vitit të shkuar mbi 13 mijë individë në të gjithë vendin kanë përfituar nga programet e formimit profesional, duke shënuar një rritje prej 11% krahasuar me vitin 2024.
Referuar të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA), një pjesë e konsiderueshme e përfituesve janë të rinjtë deri në moshën 29 vjeç, ose 7642 kursantë, duke shënuar një rritje prej 22,7%, krahasuar me një vit më parë.
Njëkohësisht, 7296 gra dhe vajza kanë ndjekur programe formimi profesional, me një rritje prej 18,9%.
Të dhënat tregojnë se nga këta 1156 përfitues të grupeve në nevojë janë përfshirë në programet e aftësimit, si pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Gjithashtu, 356 persona nga komunitetet rome dhe egjiptiane dhe 233 persona me aftësi të kufizuara kanë marrë pjesë në këto trajnime, sipas politikave për përfshirje sociale dhe barazi në tregun e punës.
AKPA thekson se qëllimi kryesor i këtyre programeve mbetet aftësimi profesional cilësor dhe krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë, me fokus te të rinjtë, gratë dhe grupet vulnerabël, për t’u integruar qëndrueshëm në tregun e punës.
Programet përfshijnë trajnime profesionale, mbështetje për vetëpunësim dhe masa për fuqizim ekonomik, në bashkëpunim me institucionet publike dhe partnerët e tjerë. /j.p/