E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbi 1 milion persona në Liban drejt pasigurisë ushqimore

Mbi 1 milion persona në Liban pritet të hyjnë në një krizë pasigurie ushqimore në muajt në vijim, si pasojë e konfliktit të rinovuar dhe zhvendosjeve masive të popullsisë, sipas një monitori global të urisë.

Një analizë e re nga Integrated Food Security Phase Classification (IPC) ka konstatuar se 1.24 milion njerëz nuk do të jenë në gjendje të plotësojnë në mënyrë të qëndrueshme nevojat bazë ushqimore.

Ata do të detyrohen të ulin cilësinë dhe sasinë e ushqimeve që konsumojnë, ose të përdorin strategji të dëmshme për të mbijetuar.

“Këto rezultate nënvizojnë ashpërsinë e situatës aktuale në Liban, ku konflikti ndërthuret me presionet ekonomike, duke vënë sigurinë ushqimore kombëtare në një rrezik kritik”, tha Nora Ourabah Haddad, përfaqësuesja e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara (FAO) në Liban.

Ky lajm vjen nga një raport i fundit i IPC-së (i publikuar së fundmi në prill 2026), i mbështetur nga FAO, Programi Botëror i Ushqimit (WFP) dhe Ministria e Bujqësisë së Libanit.

Numri i njerëzve në nivel krizë ose më keq pritet të arrijë rreth 1.24 milionë (afërsisht një në katër të popullsisë së analizuar) midis prillit dhe gushtit 2026, kryesisht për shkak të luftës, dëmtimeve në sektorin bujqësor, zhvendosjeve dhe presionit ekonomik të vazhdueshëm.

Situata është përkeqësuar ndjeshëm nga konfliktet e fundit, të cilat kanë ndërprerë furnizimet, rritur çmimet dhe dëmtuar mundësitë e jetesës për mijëra familje, përfshirë refugjatët dhe banorët lokalë më të varfër.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›