E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Hoxha takim me të Dërguarën e Posaçme të Çekisë për Ballkanin Perëndimor: Zgjerimi i BE-së investim strategjik për rajonin

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me të Dërguarën e Posaçme të Republikës Çeke për Ballkanin Perëndimor, ambasadoren Edita Hrdá, ku në fokus ishte procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe e ardhmja europiane e rajonit.

Në një postim në platformën X, ministri Hoxha e cilësoi takimin si një “shkëmbim të shkëlqyer mendimesh”, duke theksuar marrëdhënien e mëparshme profesionale me ambasadoren Hrdá në OKB dhe në Bruksel.

Gjatë bisedës, të dyja palët rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për zgjerimin e Bashkimit Europian, duke e konsideruar atë një investim strategjik për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ministri Hoxha nënvizoi se Shqipëria mbetet e vendosur në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, duke evidentuar progresin e arritur dhe ritmin e qëndrueshëm të reformave.

Postimi i Ministrit Ferit Hoxha në X:

“Shkëmbim i shkëlqyer mendimesh me Ambasadoren Edita Hrdá, mike dhe ish-kolege në OKB / New York dhe në Bruksel, aktualisht e Dërguara e Posaçme e Republikës Çeke për Balkanin Perëndimor.

Rikonfirmuam angazhimin tonë të përbashkët për zgjerimin e Bashkimit Europian si një investim strategjik për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon.

Shqipëria mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt anëtarësimit, me përparim të prekshëm dhe një ritëm të fortë reformash.

Vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Çeke për një proces zgjerimi të besueshëm dhe të bazuar në meritë, si dhe për mbajtjen e Balkanit Perëndimor në fokus të agjendës së Bashkimit Europian”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›