Mbi 100 sportistë pjesëmarrës në turneun kombëtar për personat me aftësi të kufizuara intelektuale

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Mbi 100 sportistë nga qytete të ndryshme të vendit morën pjesë në Turneun Kombëtar të Atletikës dhe Ping-Pongut për personat me aftësi të kufizuara intelektuale, një aktivitet që synon promovimin e sportit gjithëpërfshirës dhe barazisë në shoqëri.
Turneu u zhvillua në një atmosferë bashkëpunimi dhe respekti, ku pjesëmarrësit garuan duke dëshmuar rëndësinë e përfshirjes dhe fuqinë që sporti ka në tejkalimin e kufijve socialë dhe fizikë.
Aktiviteti u organizua nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Turizmit dhe Sporteve dhe Bashkisë Tiranë.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, sekretari i Përgjithshëm i KOKSH, Gerti Shima, drejtori i Drejtorisë së Sportit në Bashkinë e Tiranës dhe këshilltar i Bordit, Roland Hysi, drejtoresha Kombëtare e Special Olympics Albania, Sara Bala, Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Izmir Smajlaj, presidenti i Federatës së Ping Pongut, Krenar Dila, si edhe shumë të ftuar të tjerë, të cilët vlerësuan rëndësinë e nismave të tilla për zhvillimin e sportit dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik.
Turneu u zhvillua në kuadër të 2 prillit Ditës Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin për Autizmin, 6 prillit Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe, si dhe Muajit të Ndërgjegjësimit për Autizmin.
Organizatorët e konsideruan këtë aktivitet si një hap të rëndësishëm në përgatitjen e sportistëve për aktivitetet ndërkombëtare, përfshirë Lojërat Olimpike Speciale Botërore 2027, si dhe si një mundësi për të promovuar historitë frymëzuese të sportistëve pjesëmarrës.
1 nga 20/gj.m/j.p/