Forcave të Armatosura i shtohen 3 gjeneralë të rinj

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Forcave të Armatosura të Shqipërisë iu shtuan edhe 3 gjeneralë të rinj.
Grada madhore “Gjeneral Brigade”, me dekret të presidentit të Republikës Bajram Begaj, iu akordua kolonelëve Razije Mehmeti, Fatmir Neziraj dhe Edmond Voci, në vlerësim të kontributit të tyre në drejtimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura.
Në ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, si dhe drejtues të tjerë të lartë ushtarakë dhe civilë.
Vengu tha se “janë tre rrugëtime të veçanta në forcë, tre profesionistë dhe shërbyes të dedikuar ndaj uniformës dhe Atdheut”.
Ai u uroi suksese në këtë përgjegjësi të re, duke theksuar se me përkushtimin e tyre do t’i shtojnë vlera forcës dhe do të shërbejnë si shembull frymëzimi për ushtarakët e rinj.
Forcat e Armatosura të Shqipërisë mbeten në shërbim të paqes dhe sigurisë globale. Prej vitesh, djemtë dhe vajzat shqiptare janë pjesë e misioneve ndërkombëtare të NATO-s, BE-së dhe OKB-së.
/k.s/j.p/