Mbi 400 fëmijë pjesë e aktivitetit “Run & Have Fun” në Tiranë

TIRANË, 31 maj/ATSH/ Në kuadër të festimeve të 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Tirana Running Club, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, organizoi aktivitetin sportiv dhe argëtues “Run & Have Fun” në ambientet e Parkut të Madh të Liqenit Artificial.
Mbi 400 fëmijë morën pjesë në vrapime simbolike, lojëra dhe aktivitete rekreative, duke e kthyer këtë ditë në një festë të dedikuar sportit, lëvizjes dhe argëtimit në natyrë.
Përmes mesazhit “Femijë pa ekrane në ditën e tyre”, organizatorët synuan të promovojnë rëndësinë e aktivitetit fizik dhe socializimit, si një alternativë e shëndetshme ndaj kohës së tepërt që fëmijët kalojnë përpara ekraneve.
Aktiviteti solli së bashku fëmijë, prindër dhe vullnetarë në një atmosferë festive, duke përcjellë vlerat e një jetese aktive, të shëndetshme dhe të përfshirjes komunitare.
Tirana Running Club synon që “Run & Have Fun” të kthehet në një traditë të përvitshme, duke kontribuar në edukimin e brezave të rinj me kulturën e sportit dhe jetesës së shëndetshme.
/a.f/r.e/