E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 7 mijë të rinj të punësuar dhe 6290 trajnime profesionale

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se qeveria ka në fokus mbështetjen e rinisë përmes punësimit dhe formimit profesional, përfshirë edhe programin pilot të Garancisë Rinore.

Ibrahimaj solli në vëmendje përmes fakteve dhe statistikave rritjen e punësimit të të rinjve, si dhe avancimin në ndjekjen e kurseve profesionale.

“Përmes ndërmjetësimit, programeve të nxitjes së punësimit dhe aftësimit profesional, përgjatë 10-mujorit të fundit është mundësuar punësim i 7451 të rinjve deri në 29 vjeç, nga të cilët 612 përmes programit pilot të Garancisë Rinore”, thekson ministrja.

Gjithashtu, Ibrahimaj shton se 1203 të rinj janë përfshirë në Programet e Nxitjes së Punësimit, mbi 4500 vajza dhe djem u regjistruan në klasën e 10 në Arsimin Profesional (transferimet vijojnë), 6290 të rinj ndoqën një kurs Formimi Profesional dhe 120 kanë hapur sipërmarrjet e tyre përmes Programit të Vetëpunësimit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit thekson se qeveria do vijojë mbështetjen për të rinjtë, duke bërë të mundur aftësimin dhe punësimin e sigurt të tyre.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›