Dita Kombëtare e Rinisë, angazhim për fuqizimin e të rinjve në të gjithë vendin

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Dita Kombëtare e Rinisë shënon një moment reflektimi, motivimi dhe angazhimi për forcimin e rolit të të rinjve në jetën publike, shoqërore dhe institucionale të vendit.
Pjesa më e madhe e politikave dhe nismave në mbështetje të të rinjve zbatohen nga Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR), e krijuar në vitin 2020, si institucioni përgjegjës për mbrojtjen, fuqizimin dhe promovimin e të drejtave të të rinjve në Shqipëri.
Sipas Agjencisë për Medie dhe Informim, të rinjtë mbështeten përmes pesë thirrjeve publike për projektet rinore, ndërsa dhjetëra organizata dhe bashki në të gjithë vendin janë financuar gjatë viteve të fundit, duke ndikuar te qindra mijëra të rinj.
Projektet e mbështetura fokusohen në fusha si aftësitë digjitale, TIK dhe robotika; sipërmarrja, orientimi në karrierë dhe zhvillimi profesional; sporti, arti, kultura dhe angazhimi social; si edhe në rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje.
Gjithashtu, janë ngritur qendra rinore multifunksionale dhe janë mbështetur iniciativa komunitare që nxisin aktivizmin lokal dhe përfshirjen sociale.
Programi Kombëtar i Praktikave të Punës 2025 angazhon mbi 600 të rinj në institucione publike në shkallë vendi, duke u ofruar mbështetje financiare dhe programe të specializuara trajnimi.
/m.m/r.e/ /a.g/