E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 750 mijë udhëtarë në portin e Sarandës gjatë vitit 2025

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Saranda me plazhet me ujë të kristaltë dhe monumentet arkeologjike dhe natyrore vijon të tërheqë një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.

Gjatë vitit që lamë pas Porti i Sarandës, i cili është porta hyrëse e qytetit bregdetar ka përpunuar një numër të lartë udhëtarësh.

Drejtori i Portit të Sarandës, Admir Malaj tha sot për ATSH-në se nga janari deri në dhjetor të 2025 në port janë përpunuar 754 686 udhëtarë, 21.8% më shumë se viti 2024, i cili shënoi 619 444 udhëtarë.

Gjatë kësaj periudhe në port kanë hyrë 373 266 udhëtarë dhe kanë dalë 381 420.

Me tragetet, kroçerat dhe anijet turistike që kanë mbërritur nga Korfuzi në Sarandë numri i udhëtarëve, përfshirë këtu edhe turistët ditorë, ka shënuar shifra të larta, sidomos në muajt qershor-shtator.

“Gjatë muajit gusht në port kanë hyrë dhe kanë dalë rreth 200 230 udhëtarë, duke shënuar edhe muajin me shifrën më të lartë. Ndërsa në shtator në port kanë hyrë dhe kanë dalë 140 692 udhëtarë. Këto shifra konfirmojnë që Saranda vijon të ketë turizëm gjithëvjetor”, theksoi Malaj.

Porti i Sarandës i shërben jo vetëm qytetit, por gjithë Rivierës, duke qenë një pikë kyçe lidhëse për vizitorët vendas dhe të huaj.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›