Salla në Berlin: Bashkëpunimi me Gjermaninë, mbështetje e qëndrueshme për bujqësinë shqiptare

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndodhet në Berlin, Gjermani, në kuadër të Forumit Global të Ushqimit dhe Bujqësisë, i cili këtë vit zhvillohet nën temën “Uji. Të korrat. E ardhmja jonë”.
Gjatë vizitës, ministri Salla u mirëprit në takim nga ministri Federal i Bujqësisë, Ushqimit dhe Identitetit Rajonal i Gjermanisë, Alois Rainer. Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e bujqësisë, sigurisë ushqimore dhe zhvillimit rural.
“Diskutuam forcimin e bashkëpunimit në bujqësi, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin rural”, u shpreh ministri Salla. Ai theksoi se palët u ndalën edhe te ndikimi pozitiv i bashkëpunimit të deritanishëm mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Sipas ministrit Salla, partneriteti me Gjermaninë mbetet një mbështetje e qëndrueshme për rritjen e kapaciteteve institucionale, nxitjen e inovacionit dhe fuqizimin e fermerëve dhe agropërpunuesve shqiptarë. “Ky bashkëpunim është në funksion të ndërtimit të një bujqësie moderne dhe konkurruese, në përputhje me vizionin tonë ‘Bujqësia 2030’”, theksoi Salla.
e.xh/j.p/