Mbledhja e Bordit të Transparencës, Ibrahimaj: Çmimet e karburanteve dhe shportës ushqimore nën vëzhgim të rreptë, parandalojmë spekulimet

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në fjalën e saj gjatë konferencës për media, deklaroi se mbledhja e Bordit të Transparencës ditën e djeshme (26 mars), pas rritjes së çmimit të karburanteve, kishte për qëllim diskutimin dhe vendosjen e çmimeve maksimale të tregtimit, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi.
“Dje kemi mbledhur bordin e transparencës me qëllim diskutimin për çmimet dhe vendosjen në bazë të legjislacioneve në fuqi të çmimeve maksimale të tregtimit”, tha Ibrahimaj.
Ajo shtoi se mënyra e vendosjes së çmimeve bazohet në të dhënat e bursës së një dite më parë, ku bëhet një llogaritje mbi të gjitha kostot e tregtimit të karburantit, duke i shtuar një marzh 3 lekë për shumicën dhe 12 lekë për pakicën.
“Marzhet kur u kalkuluan në 2022 janë minimale, jo marzhe fitimi, por për të përballuar shpenzimet kryesore që kompanitë kanë”, sqaroi ministrja teksa vuri theksin te rëndësia e monitorimit të vazhdueshëm. Ibrahimaj sqaroi se Bordi nuk ka afat të përfundimit të aktivitetit.
“Me ngritjen e bordit do të jemi në monitorim të vazhdueshëm të çmimeve. Në një situatë kur çmimet po rriten në mënyrë të vazhdueshme, ne jemi transparentë dhe nuk do të lejojmë abuzime apo spekulime për çmimet. Ne do e mbajmë bordin të ngritur deri kur çmimet të stabilizohen deri në nivelet e para krizës nëse dhe bursat do rikthehen në nivelet e para krizës. Sa i përket ndërhyrjeve në suportin e shtresave në nevojë, karburantet në shportën e konsumit kanë një peshë prej 2%”, tha ajo.
Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se e njëjta vëmendje po i kushtohet edhe çmimeve të shportës së ushqimeve, të cilat kanë pasur luhatje ditët e fundit.
“Për këtë arsye kemi nisur monitorimin ditor të tyre dhe do të bëjmë një mbikëqyrje të thelluar përmes Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut. Qëllimi ynë është të kujdesemi që efektet e luftës të kenë sa më pak ndikim te konsumatorët shqiptarë dhe që tregu të funksionojë normalisht”, përfundoi ministrja.
/rtsh.al/