Mbledhja e Grupit të PD, Luçiano Boçi: Do marrim pjesë në Komisionin e Reformës Territoriale

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka bërë me dije se PD do të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Territoriale. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Boçi, i cili është edhe bashkëkryetar i këtij Komisioni, tha se ata do të vijojnë të jenë pjesë e tij, por shtoi se refuzojnë bashkëpunimin me kryeministrin Edi Rama.
Në lidhje me mbledhjen e zhvilluar këtë të hënë (2 shkurt), Boçi e konsideroi atë nul.
“Sa i takon mbledhje së sotme, mbledhja është nul sepse u thirr në ultimatum, e artikuluar nga zoti Balla, e papranueshme në jetën politike. Mbledhaj e Komisionit thirret në bashkëpunim me bashkëkryetarët, unë jam bashkëkryetari dhe nuk jam njoftuar. Nuk bashkëpunojmë me Edi Ramën në nivele të tilla që konsiderohen si nivele politike. Qëndrimi i shprehur i PD, pas diskutimeve në Grupin Parlamentar është që PD do vijojë të jetë pjesë e Komisionit të Reformës Zgjedhore, do vazhdojmë me axhendën e komisionit. Jam i detyruar, duke respektuar etikën parlamentare, të njofton për gatishmërinë e grupit parlamentar të PD për të bashkëvijuar këtë reformë që është e rëndësishme”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme, bashkëkryetari i këtij komisioni, Arbjan Mazniku, deklaroi se socialistët do të propozojnë në Kuvend ndryshime për të zhbllokuar funksionimin e komisionit dhe për të vijuar punën. Mazhoranca socialiste i ka bërë thirrje opozitës që të marrin pjesë në Komisionin e Reformës Territoriale dhe Reformës Zgjedhore, por kanë theksuar se megjithatë nuk do t’i presin për të vijuar me punën.
/rtsh.al/