E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mblidhet Kuvendi, shqyrton veprimtarinë e disa institucioneve të pavarura

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ku pritet të shqyrtohet raporti i veprimtarisë për vitin 2024 të disa institucioneve të pavarura.

Kështu Kuvendi pritet që në vijim të seancës të shqyrtojë në raportin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2024, Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish – Sigurimit të  Shtetit, si dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Më pas, Kuvendi do të miratojë rezoluta për veprimtarinë e këtyre institucioneve.

Në rend të ditës gjithashtu është edhe shqyrtimi i  projektligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Ky projektligj ka për qëllim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri, me synim mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, si dhe përdorimin më efikas të burimeve natyrore, duke mbështetur kalimin drejt ekonomisë qarkulluese.

Projektligji përcakton rregullat për funksionimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve, duke u fokusuar në parandalimin ose reduktimin e mbetjeve; minimizimin e ndikimeve negative nga krijimi dhe trajtimi i tyre; rritjen e eficiencës në përdorimin e burimeve.

Nga fusha e zbatimit të këtij ligji përjashtohen disa kategori të posaçme, si shkarkimet në atmosferë, tokat e paprekura, dherat e pastra të përdorura për ndërtim, mbetjet radioaktive, anijet e dala jashtë përdorimit, mbetjet nga aktivitetet minerare, ujërat e përdorura dhe nënproduktet shtazore të caktuara.

Ky projektligj është i përafruar me Direktivën 2008/98/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit “Mbi mbetjet”, duke siguruar harmonizimin e legjislacionit kombëtar me standardet e Bashkimit Evropian.

Kuvendi gjithashtu pritet të miratojë edhe projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Shqyrtimin dhe Përzgjedhjen e Kandidaturave të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

Në çelje të punimeve në Kuvend fillimisht u betuan dy deputetët e rinj, Brahimi dhe Shkurt Lasku nga Partia Social Demokrate (PSD). Deputetët morën mandatin në Kuvend si më të votuarit nga listat e PSD-së në Shkodër, pas dorëheqjes së Tom Doshit dhe Sabina Jorgos.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›