Mbrëmje letraro-muzikore kushtuar Naim Frashërit në Torrën Veneciane

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Mbrëmja e së hënës i dha gjallëri dhe një atmosferë të veçantë Torrës Veneciane të Durrësit.
Publiku artdashës u mblodh në këtë kullë, një prej atraksioneve më të frekuentuara të qyteti bregdetar, në përkujtim të 125-vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit të madh të rilindjes, Naim Frashërit.
Aktiviteti letraro-muzikor u organizua nga Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu”, me pjesëmarrjen e emrave të shquar të artit shqiptar, Yllka Mujo dhe Ndriçim Xhepa, si dhe të trupës së aktorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Performancat e artistëve erdhën më magjike në Torrën Veneciane dhe për publikun ishte diçka e veçantë të dëgjonin aktorët të interpretonin jashtë skenës klasike të një teatri.
E pranishme gjatë aktivitetit ishte prof. asoc. dr. Rovena Vata Mikeli, njëkohësisht studiuese dhe publiciste. Ajo u shpreh se, Naim Frashëri është një nga figurat qendrore të Rilindjes sonë kombëtare dhe përkujtimi i përvjetorit të ndarjes së tij nga jeta është një homazh që i bëhet këtij patrioti dhe autori shqiptar.
Në mbrëmjen letraro-muzikore u ekspozua edhe skica e rilindasit të madh, e realizuar nga drejtoresha e Qendrës Kulturore Durrës, Alketa Tragaj.
Naim Frashëri lindi në vitin 1846 në Frashër të Përmetit dhe u nda nga jeta më 20 tetor 1900. Veprat e tij “Bagëti e bujqësi”, “Historia e Skënderbeut” etj janë testamenti që Naim Frashëri i la vendit të tij, dhe përmes të cilave identifikohet si poeti ynë kombëtar. /j.p/
1 nga 9