Ja si ndodhi grabitja në Luvër, flet shqiptarja në Paris: Zgjati 7 minuta, si film hollivudian

Grabitja në muzeun e Luvrit në Paris ishte temë e diskutimit në emisionin “Në radio” që transmetohet në Radio Tirana 1.
Në një lidhje direkte me Andri Xhahun ishte Aurora Gjapi Muça, inxhiniere e sigurisë dhe shëndetit në punë dhe këshilltare për parandalimin e rreziqeve profesionale në Paris.
Ngjarja ndodhi në orën 9:30 minuta të 19 tetorit. “Ishte gjithçka shumë e shpejtë. Tre apo katër persona, që akoma nuk janë identifikuar, përdorën një ashensor që ngjit mobiliet në dritare.” Gjapi tregon se grabitësit janë ngjitur me shpejtësi marramendëse në galerinë e Apolonit. Në pak minuta u grabitën dy vitrina ekspozimi. “Në total operacioni zgjati 7 minuta, por veprimi brenda galerisë, si me një disiplinë ushtarake, ka zgjatur 4 minuta. Dy prej tyre kanë qenë të veshur me jelekë të verdhë punëtorësh duke i shpëtuar agjentëve të sigurimit sepse në këto muze ka gjithmonë punime për riparimet e objekteve të artit.”
Sapo është aktivizuar alarmi, stafi ka nisur evakuimin e vizitorëve. Policia ka rrethuar zonën dhe muzeu u mbyll menjëherë. “Në vendin e ngjarjes janë gjetur mjete prerëse, doreza dhe madje një radio e komunikimit në distancë,” shton Gjapi.
Sipas saj, hetuesit flasin për një grup profesionistësh, të cilët kanë vepruar me saktësi. “Ishte një operacion i planifikuar në detaj. Dy nga personat u arratisën me motoçikleta, të cilat i braktisën dhe ikën me makinë më tej. Madje flitet që njeri nga grabitësit përshëndeti kamerën e sigurisë para se të largohej, një provokim i qartë për të thënë që ja ku jemi dhe nuk na kapni dot.”
Vlera e objekteve të grabitura është disa miliona euro. “Por në realitet janë të paçmuara si pjesë e historisë së Francës,” shprehet Aurora Gjapi. “Bëhet fjalë për një tiarë safari, një kurorë e vogël me gurë të çmuar, bizhuteri të tjera si varëse smeraldi ose brosha që përdoren për të zbukuruar veshjet e perandoreshave. Një nga kurorat më të famshme, ajo e perandoreshës Eugenie, bashkëshortja e Napoleonit III, është gjetur e braktisur pranë lumit Senë, në një park rreth 400 metra larg muzeut.”
E pyetur se si ka rezonuar kjo ngjarje te qytetarët, ajo tregon se ata e kanë pritur me humorin tipik francez. “Shprehen se kjo grabitje është sezoni i ri i Arsène Lupin, pasi ngjarja ndodhi në të njëjtën galeri ku është xhiruar filmi. Disa bëjnë shaka ironike duke thënë që të paktën grabitësit kishin shije. Për pjesën më të madhe të popullsisë është një turp kombëtar. Një turist amerikan, siç raporton agjencia franceze e lajmeve, u shpreh se kjo grabitje ishte si një film hollivudian, por askush nuk duartrokiti.”
Populli francez dhe autoritetet franceze ndihen si të rëna në kurth, shton Gjapi duke shtuar se presidenti Macron ka thënë që kjo është një goditje ndaj trashëgimisë kombëtare franceze. “Por ajo që vihet më shumë në dukje është një mungesë e theksuar sigurie. Tani po punohet në këtë aspekt për të evituar që ngjarje të tilla të mos ndodhin sërish. Mbrëmë janë mbledhur në një takim urgjent ministri i Brendshëm dhe ministrja e Kulturës me të gjitha strukturat e sigurisë për të analizuar ku dështoi siguria në muze dhe është konfirmuar që Luvri do të qëndrojë i mbyllur deri të mërkurën në mëngjes. Ndërsa presidentja e muzeut është nën presion dhe do të dëgjohet së shpejti nga autoritetet sepse kishte paralajmëruar për problemet e sigurisë që në janar dhe nuk pati një reagim në kohë.”
Muzeu i Luvrit është ndër më të rëndësishmit jo vetëm në Francë, por në mbarë botën. “Për vitin 2024 e kanë vizituar rreth 8,7 milionë vizitorë. Për të kuptuar madhësinë e tij, thuhet se nëse ndalesh 30 sekonda para çdo vepre, do të duhen plot 40 ditë për t’i parë të gjitha. Një muze që kërkon 40 ditë për t’u parë, t’i merret shpirti për 4 minuta, është një ironi që vështirë të harrohet.”
/rtsh.al/