Mbrëmje magjike në Muzeun Etnografik, kompozitorë shqiptarë dhe të huaj në një mbrëmje të veçantë koncertore në Durrës

Muzeu Etnografik në Durrës, mbrëmjen e së hënës u kthye në sallë koncertesh. Orkestra e Harqeve të Qendrës Kulturore të këtij qyteti Echos-Jehonat e Kohës, nën dirigjimin e Gridi Karajës dhuruan një mbrëmje të bukur me pjesë të zgjedhura nga kompozitorë të njohur shqiptarë dhe të huaj.
“Një emocion shumë i veçantë dhe një mbrëmje ndryshe për muzeun etnografik. Ky ambient është shumë i ngrohtë, familjar dhe mendoj se kjo na ndihmon, është në të mirën tonë”, u shpreh Kiara Juba, soliste.
“Repertori ynë është përgjithësisht muzikë shqiptare, “Çezadeja” nga opera Mrika, “Qirjako” nga Limoz Dizdari, si dhe këngë arbëreshe”, tha violincelistja, Rajmonda Konci Reci.
Në hapësirën ku historia ruan kujtesën e saj, muzika ringjalli jehonat e së kaluarës dhe i shndërroi ato në emocione të gjalla. Tingujt elegantë të muzikës së dhomës sollën një mbrëmje me dialog artistik dhe harmoni të rafinuar.
Gazetare: N. Spahiu
/rtsh.al/