E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbrojtja e Veliajt: SPAK nuk i jep materialet fizike, s’lejojnë takimet me avokatët ndërkombëtarë

Avokatët e kryebashkiakut të Erion Veliaj kanë deklaruar se Prokuroria e Posaçme nuk i lejon klientit të tyre, aksesin në materialet hetimore fizike.

Sipas avokatëve, SPAK argumenton se dokumentet janë dorëzuar me USB, por sipas tyre, në kushtet e izolimit Veliaj e ka të pamundur që të njihet me aktet dhe të përgatisë një mbrojtje efektive.

Po ashtu, avokatët e Veliaj bëjnë me dije se SPAK ka refuzuar edhe të drejtën e ligjshme të klientit të tyre për takim me avokatë ndërkombëtarë, ndërsa theksojnë se këto veprime janë tejet shqetësuese.

“Prokuroria e Posaçme vijon të refuzojë kërkesën e ligjshme të z. Veliaj për t’u takuar me avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, një e drejtë e cila i garantohet nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Prokuroria e Posaçme po e trajton këtë çështje me mentalitetin “në fillim arresto, pastaj heto”. Kjo është shqetësuese, duke marrë parasysh edhe numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri. Erion Veliaj nuk ka mundësi t’i aksesojë aktet, për të cilat ka nevojë për të mbrojtur veten. Gjithashtu, atij i pamundësohet të ushtrojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku është zgjedhur për 3 mandate radhazi, në mënyrë demokratike, nga qytetarët e Tiranës”, thuhet në reagim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›