E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama nderon forcat që u përballën me zjarret: Së shpejti me flotë avionësh, s’heshtim para gjykatësve që japin vendime pro zjarrvënësve

24 ushtarakë, zjarrfikës dhe policë që u angazhuan në luftën me zjarret që përfshinë vendin tonë në 2 muajt e fundit, janë nderuar me medalje nga kryeministri Edi Rama.

I pranishëm në ceremoninë e “Mirënjohjes Kombëtare”, kryeministri përmendi sakrificat e kryera prej tyre në betejën me flakët, për të cilët tha se “lartësuan vendin”.  Javët që vendi ishte i përfshirë nga zjarret, Rama i përshkroi si “kronikë e gjatë ethesh”.

“Jemi këtu për të shprehur mirënjohjen dhe për t’u përulur me respekt përpara jush dhe atyre që ju këtu përfaqësoni. Beteja e zjarret që përfshiu territore të konsiderueshme të vendit në 2 muajt e fundit ishte një kronikë e gjatë ethesh, plagësh, dhimbjesh, një kronikë dramatike, por me nota stërmundimi, përkushtimi dhe me momente kulmore edhe heroizmi dhe falë jush nderojnë shtetin shqiptar. Jemi në ditë tejet të nxehta, për të aksesuar nga toka Borshin, Himarën dhe Kalasën nuk bëhet fjalë, situata e flakëve ka dalë jashtë kontrollit, zjarret i kanosen qendrave të banuara, helikopterët furnizohen me ujë nëpër liqene, mbi fshatin Kalasë tymi mund të mpijë edhe sistemet e fluturimit. Në Delvinë, flakët dukeshin si regjimente demonësh që asgjë nuk dukej se mund t’i zmbrapste. Ndërkohë që forcat e ushtrisë dhe ato të zjarrfikësve merrnin çdo iniciativë të mundshme, për të shpëtuar jetë”, tha Rama.

Rama pati një sërë kritikash për prokurorë e gjykatës që, sipas tij, kanë marrë vendime në favor të zjarrvënësve. Ai shtoi se ka kërkuar që rastet t’i përcillen organeve të qeverisjes së gjyqësorit, duke theksuar se qeveria nuk do të heshtë përballë rasteve të tilla.

“Gjejnë aleatë në radhët e gjykatësve të këtij vendi. Disa persona të cilëve nuk u dihen emrat, nuk u njihet fytyra, me integritet profesional dhe moral zero me xhufkë, në ajër të kondicionuar mbuluar me turbën e zezë të gjykatësit i shkelin me katër këmbë të gjitha interesat e vendit dhe publikut, duke dhënë vendime në favor të zjarrvënësve. I kam kërkuar Ministrit të Drejtësisë t’ia përcjellë rastet organeve të qeverisjes së gjyqësorit. Ne nuk do të heshtim dhe nuk do lëmë gurë të shtrati ligjor të kësaj republike pa luajtur për të vendosur përballë përgjegjësisë çdo prokuror dhe gjykatës që do të sulmojë haptazi shtetin dhe interesin publik në proceset gjyqësore me zjarrvënës, zaptues apo gllabërues të të mirave dhe pasurive publike të këtij vendi. Nuk do të kursejmë çdo përpjekje për prokurorët dhe gjykatësit që luftojnë korrupsionin e krimin e organizuar dhe duke qëndruar drejt në mbrojtje të interesit publik”, theksoi Rama.  

Kryeministri bëri me dije se së shpejti vendi ynë do të ketë edhe një flotë avionësh zjarrfikës, që do të nisë fillimisht me marrjen e 2 mjeteve të tilla. Megjithatë, kryeministri theksoi se ka nevojë të bëhet më shumë punë për parandalimin e zjarreve, teksa tha se do të ketë monitorime të vazhdueshme me dronë. Po ashtu, dronët do të përdoren gjerësisht edhe për mbjelljen e sipërfaqeve të djegura.

“Avionët nuk janë magjistarë, janë ndihmës të fuqishëm që nuk na kanë munguar falë mekanizmit europian të mbrojtjes civile, pjesë e të cilit jemi ne, por nuk janë të plotfuqishëm. 22 avionë të gjeneratës së fundit nuk e penguan dot përbindëshin e flakëve ta digjte zonë e Izmirit. Avionët janë një krah i fuqishëm në betejë, edhe ne do të kemi së shpejti flotën e avionëve tanë që do të nisë të ndërtohet me 2 avionë zjarrfikës, por magjia është bashkërendimi dhe sakrifica në tokë. Patjetër mund të bëjmë më shumë, parandalim më të mençur, pastrim pyjesh, futjes në përdorim të më shumë dornëve për monitorim dhe futjen në përdorim gjerësisht të dronëve për mbjelljet e reja në sipërfaqet e djegura. Teknologji dhe inteligjencë me sisteme alarmi të hershme. Por të gjitha këto nuk na çojnë larg pa edukimin e ndërgjegjësimin, gjë që kërkon që çdo shkollë dhe institucion të bëhet pjesë e vëmendjes, mbrojtjes dhe ripërtëritjes kombëtare për pyjet”, deklaroi Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›