E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbrojtja e të dhënave në epokën e IA-së, Komisioneri: Teknologjia dhe të drejtat themelore duhet të ecin paralelisht

Përdorimi masiv i inteligjencës artificiale në ditët e sotme po transformon mënyrën se si institucionet përpunojnë informacionin dhe ofrojnë shërbime, duke krijuar mundësi të reja për automatizimin e proceseve dhe rritjen e efiçiencës.

Në konferencën e organizuar për Mbrojtjen e të Dhënave, Komisioneri Besnik Dervishi adresoi problematikat e punës së tyre të përditshme që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale, transparencën, sigurinë dhe të drejtat themelore të individëve.

“Qasja jonë mbetet e qartë sepse nuk është hera e parë që ne takohemi. Mbrojtja e dëme personale dhe inovacioni nuk janë koncepte që përjashtojnë njëra-tjetrën. Zhvillimi i teknologjisë duhet të ecë paralelisht me respektimin e të drejtave themelore dhe besimi i individëve mbetet një nga elementët më të rëndësishëm për suksesin e transformimit dixhital”, tha Dervishi. 

Eksperti ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, Prof. Alessandro Mantelero, theksoi rolin e Inteligjencës Artificiale në sektorin financiar, duke analizuar përfitimet dhe rreziqet që lidhen me përdorimin e saj.

“Përdorimi i sistemeve të inteligjencës artificiale kërkon një vlerësim gjithëpërfshirës të rreziqeve duke u bazuar në kritere të tilla si shkalla e  ndikimit, shtrirja e tij, probabiliteti i ndodhjes dhe mundësia e rikthimit të situatës në gjendjen e mëparshme”, tha Mantelero.

Në konferencë u vu theksi në rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve publike, sektorit privat dhe ekspertëve të teknologjisë për të garantuar një përdorim të përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të individëve.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›