E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama nga Mali i Zi: Projekti i refuzuar në Durrës u kthye në ‘Porto Montenegro’, perlën që transformoi ekonominë e vendit fqinj

Kryeministri Edi Rama, në një dalje të drejtpërdrejtë nga Mali i Zi përmes rrjeteve sociale, ku ndodhet për të marrë pjesë në Samitin “Bashkimi Europian–Ballkan Perëndimor”, ka publikuar një mesazh nga kompleksi turistik ‘Porto Montenegro’.

Ai bëri krahasime mes zhvillimeve në rajon dhe perspektivës së Shqipërisë në rrugën europiane, duke e cilësuar Porto Montenegron si një projekt transformues për Malin e Zi, i cili sipas tij nuk gjeti mbështetje në Shqipëri vite më parë.

Rama kujtoi se investitori që e ndërtoi këtë kompleks kishte synuar fillimisht të zhvillonte një port turistik në Durrës, por u detyrua të largohej për shkak të mungesës së mbështetjes.

“LIVE NGA PERLA QË E SOLLËN KËTU DIKUSH QË E PËRZUNË NGA SHQIPËRIA. O çuna goca na e kaluan njëherë këta vëllezërit e vegjël topin për shalësh, për fajin e honxhobonxhove tanë që e lanë topin ta marrë deti.”- tha Rama.

Po tani s’bëhet llaf më. Ta harrojnë të gjithë ata që thonë s’duan apo s’na duan, se na kalon prapë huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane.

“E di shumë mirë historinë se si u ndërtua ky vend, nga dikush pasionant nga Kanadaja që trokiti më parë në Shqipëri. Me këtë ambicie donte të bënte një port turistik në Durrës, por e keqtrajtuan dhe e detyruan të largohet duke mos i hapur fare dyert, ndërsa në Malin e Zi ia hapën dyert e qeverisë. Jo gjithçka shkoi mirë sikurse duket sot. Po tani s’bëhet llaf më, ta harrojnë të gjithë ata që thonë s’duan apo s’na duan, se na kalon prapë huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane.”-shtoi Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›