Mbyllen “Netët korçare të poezisë” – Festivali ndërkombëtar shënoi edicionin e 30-të

Në Korçë u mbyll edicioni i 30-të i festivalit ndërkombëtar “Netët Korçare të Poezisë”. Ky jubile i rëndësishëm mblodhi në qytetin juglindor poetë, shkrimtarë, studiues dhe krijues nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës, duke e kthyer Korçën në një pikëtakim të artit poetik dhe shkëmbimit kulturor.
“Në këtë edicion të 30-të morën pjesë 31 poetë nga Europa, nga Shqipëria dhe nga trevat shqipfolëse. Të gjithë sollën mes tyre gjuhën e tyre amtare, kulturën e tyre, sepse poezia merr kuptim vetëm kur del nga libri dhe ajo bëhet zë, bëhet emocionale, bëhet edhe komunikim mes njerëzve.” – tha Jorida Tollkuçi, Drejtore e Bibliotekës “Thimi Mitko”.
Në mbrëmjen përmbyllëse u ndanë edhe çmimet për krijimet më të vlerësuara nga juria.
Poeti nga Greqia, Petros Golitsis, u shpall fitues i çmimit kryesor “Kurora e Poezisë”.
“Është nder për mua dhe jam shumë i lumtur që ndodh në Korçë, një qytet me vlera të mëdha kulturore. Festivali më ka dhënë mundësinë të takoj poetë të shquar, të krijoj miqësi të reja dhe të njoh kulturat e ndryshme të poezisë. Jam i lumtur që poetët kanë disa pjesë të përbashkëta kulturore dhe komunikimi me festivale të tjera të rëndësishme poetike në rajon. Për mua është nder, kënaqësi dhe një emocion shumë i veçantë të jem mes jush.” – tha Petros Golitsis, poet.
Festivali përmbylli me sukses edicionin e tij të 30-të, duke konfirmuar rolin e tij si një nga veprimtaritë letrare më të rëndësishme në vend dhe një hapësirë ku poezia vazhdon të bashkojë autorë e kultura nga vende të ndryshme.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/