Mbyllet pas më shumë se 2 orësh protesta e PD, molotovë drejt Kryeministrisë dhe Ministrisë së Energjisë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë

Protesta e Partisë Demokratike që u zhvillua këtë të diel në Tiranë u mbyll pas më shumë se dy orësh marshim dhe përplasjesh me policinë. Tubimi nisi përpara Kryeministrisë, ku protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarrë drejt godinës, ndërsa policia reagoi me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, protestuesit u zhvendosën drejt Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Rrugës së Elbasanit, Sheshit Skënderbej dhe zonës së ish-Bllokut, duke ndjekur të njëjtin skenar me hedhje molotovësh dhe ndërhyrje të policisë.
Gjatë tensioneve, deputetët e PD-së Flamur Noka dhe Luçiano Boçi pretenduan se kreu i opozitës, Sali Berisha, ishte goditur nga policia gjatë përdorimit të ujit dhe gazit lotsjellës. Pas incidentit të pretenduar, Berisha u rikthye sërish në protestë, duke vijuar marshimin me mbështetësit e tij.
Protesta u organizua pa podiume dhe pa fjalime, nën drejtimin e Berishës dhe deputetëve të PD-së, të cilët shoqëruan qytetarët sipas qarqeve që përfaqësojnë në Kuvend.
Policia e Shtetit kishte angazhuar mbi 1400 efektivë për të garantuar rendin publik.
Gjatë protestës së Partisë Demokratike këtë të diel, deputetët Luçiano Boçi dhe Flamur Noka kanë pretenduar se kreu i opozitës, Sali Berisha, është goditur nga policia gjatë ndërhyrjes me ujë dhe gaz lotsjellës.
Pas incidentit të pretenduar, Berisha është rikthyer sërish në protestë, duke vijuar marshimin me mbështetësit e tij.
Protesta e PD, Noka dhe Boçi pretendojnë se është goditur Berisha: Keni hapur luftë
Tensione janë shënuar gjatë protestës së Partisë Demokratike këtë të diel, ku deputetët Flamur Noka dhe Luçiano Boçi kanë pretenduar se kreu i opozitës, Sali Berisha, është goditur nga forcat e rendit.
“U godit kreu i opozitës, e keni goditur drejtpërdrejt. Do e kesh personale me të gjithë ne”, tha Luçiano Boçi, duke iu drejtuar një efektivi policie.
Ndërkohë, Flamur Noka deklaroi: “Keni hapur luftë, keni goditur kreun e opozitës, keni hapur luftë. Ti që ke prekur Sali Berishën, ke luajtur me zjarrin. Keni marrë urdhër dhe keni goditur në sy kreun e opozitës. I kemi filmuar, do ta paguani shtrenjtë. Jeni mercenarë të krimit të organizuar, atij po i shërbeni.”
Protesta e PD-së ka vijuar me tensione në kryeqytet, ku janë hedhur molotovë dhe fishekzjarrë drejt godinave të institucioneve, ndërsa policia ka reaguar me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Vijon protesta e PD në kryeqytet, ku protestuesit janë zhvendosur drejt Rrugës së Elbasanit. Gjatë marshimit, ata kanë hedhur molotovë, duke krijuar tensione me forcat e rendit.
Policia ka reaguar menjëherë, duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Tubimi i PD, protestuesit marshim në rrugët kryesore në Tiranë
Protesta e PD vijon në kryeqytet, ku pasi kanë hedhur molotovë drejt godinave të disa institucioneve në vend, protestuesit po marshojnë në rrugët kryesore në Tiranë.
Tubimi nisi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë, ku u hodhën molotovë dhe fishekzjarrë. Pas ndërhyrjes së policisë me ujë dhe gaz lotsjellës, turma u nis drejt Sheshit Skënderbej dhe më pas vijoi marshimin drejt zonës së ish-Bllokut.
Pas Kryeministrisë, militantët e PD-së sulmojnë me molotovë edhe selinë e Partisë Socialiste
Pas sulmeve me lëndë djegëse drejt godinës së Kryeministrisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një grup protestuesish kanë shënjestruar edhe selinë qendrore të Partisë Socialiste.
Për shkak të masave të rrepta të sigurisë dhe një kordoni të fortë policor të vendosur pranë selisë rozë, protestuesit e kanë pasur të pamundur t’i afrohen godinës. Si rezultat, ata i kanë hedhur bombat molotov nga distanca, duke u pozicionuar në sheshin “Skënderbej”, në zonën krah Bankës së Shqipërisë.
Për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar dëmtimin e institucionit, forcat e rendit kanë ndërhyrë me shpejtësi. Krahas kordonit policor, në gatishmëri ishte vendosur edhe një automjet me ujë me presion. Policia ka përdorur hedhjen e ujit jo vetëm për të shuar menjëherë flakët e molotovëve të ndezur në rrugë, por edhe për të zmbrapsur demonstruesit që po vijonin sulmin.
Deri në këto momente, situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e policisë kanë rrethuar pikat strategjike rreth institucioneve qendrore.
Tubimi i PD, protestuesit zhvendosen te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, hedhin molotovë drejtë godinës
Protesta e PD-së është zhvendosur nga Kryeministria drejt Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku po ashtu kanë hedhur molotovë dhe fishekzjarrë drejt godinës, duke krijuar tensione me forcat e rendit.
Policia është përgjigjur me ujë për të shuar flakët dhe për të shpërndarë protestuesit.
Tubimi, i organizuar pa podiume dhe pa fjalime, udhëhiqet nga kreu i PD-së, Sali Berisha, dhe deputetët e opozitës.
Protesta e Partisë Demokratike ka shënuar momente tensioni pak minuta pas nisjes së saj në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Një grup protestuesish kanë sulmuar godinën e Kryeministrisë me bomba molotov dhe fishekzjarre, çka ka sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të policisë për të shpërndarë turmën.
Situata u përshkallëzua kur një grup specifik demonstruesish, të cilët mbanin tabela për të feshur identitetin, avancuan drejt kordonit të sigurisë. Nën thirrjet e vazhdueshme “Rama ik”, ata lëshuan një breshëri lëndësh djegëse dhe piroteknike në drejtim të godinës qeveritare, një skenar i ngjashëm ky me protestat e mëparshme të opozitës.
Në përgjigje të këtij sulmi, forcat e rendit reaguan me shpejtësi për të rimarrë kontrollin e situatës. Policia përdori gaz lotsjellës dhe makinat me ujë me presion për të zmbrapsur protestuesit. Si pasojë e kësaj ndërhyrjeje, sheshi kryesor përpara Kryeministrisë u zbraz brenda pak minutash.
Aktualisht, zona vijon të jetë nën një monitorim të rreptë dhe prani të shtuar të forcave të policies.
/rtsh.al/