Shqipëria ndryshon planin e klimës, zbulohet fatura miliardëshe për të mbrojtur ekonominë deri në vitin 2035

Qeveria shqiptare po bëhet gati të miratojë një strategji të re për të luftuar ndryshimet klimatike, pasi plani i mëparshëm rezultoi me efekte të kufizuara. Përmes dokumentit të ri strategjik “Kontributi Kombëtar i Përcaktuar 3.0” (KKP 3.0), i cili mbulon periudhën 2026-2035, synohet reduktimi i ndjeshëm i gazeve serrë dhe mbrojtja e sektorëve jetikë të ekonomisë nga fatkeqësitë natyrore.
Sipas relacionit zyrtar të hartuar nga Ministria e Mjedisit, strategjia e re është një detyrim që buron nga Marrëveshja e Parisit për të mbajtur rritjen e temperaturës globale nën 1.5°C, si dhe një kusht thelbësor për t’u përafruar me standardet e Bashkimit Evropian (Kapitulli 27).
Ndryshimi nga KKP 2.0 në KKP 3.0 vjen pas gjetjeve se zbatimi i planit të kaluar nuk arriti plotësisht rezultatet e pritshme për shkak të kapaciteteve të kufizuara. Për këtë arsye, plani i ri vendos objektiva më të matshëm dhe të zbatueshëm në sektorë si energjia, bujqësia, transporti, turizmi dhe menaxhimi i mbetjeve.
Miliarda euro investime
Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij projektvendimi është zbardhja e kostos reale që kërkon përballja me krizën klimatike. Edhe pse dokumenti nuk rëndon drejtpërdrejt buxhetin e këtij viti, ai orienton investimet publike dhe private për dekadën e ardhshme.
Për të transformuar sektorët që emetojnë gaze serrë nevojiten nga 2.6 miliardë euro (me politikat aktuale) deri në 6.9 miliardë euro për masa shtesë.
Për të mbrojtur bujqësinë, turizmin, pyjet dhe infrastrukturën nga goditjet klimatike kërkohen rreth 9.8 miliardë dollarë amerikanë për periudhën 2026–2035.
Autoritetet theksojnë se këto shifra do të mbulohen nga një kombinim i buxhetit të shtetit, fondeve të bashkive, sektorit privat dhe donatorëve ndërkombëtarë.
“Kostoja ekonomike dhe fiskale e mosveprimit ndaj ndryshimeve klimatike tejkalon ndjeshëm koston e investimeve të nevojshme për zbutje dhe përshtatje,” paralajmërohet në dokument.
Zbatimi i këtij plani kombëtar do të udhëhiqet nga Ministria e Mjedisit, e mbështetur teknikisht nga GIZ dhe UNDP, ndërsa barra e zbatimit në terren do të bjerë mbi ministritë e linjës dhe bashkitë në mbarë vendin.
Fatura Financiare e parashikuar (2026-2035)
Për reduktimin e ndotjes, nga 2.6 miliardë euro deri në 6.9 miliardë euro (masa shtesë).
Për mbrojtjen e ekonomisë (përshtatja), rreth 9.8 miliardë dollarë.
Kush paguan? Fonde nga buxheti i shtetit, bashkitë, bizneset private dhe fondet ndërkombëtare.
/rtsh.al/