Mbyllet sërish Ngushtica e Hormuzit, Trump: Marrëveshje, ose rikthim i konfliktit

Komanda e përbashkët ushtarake e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) ka lëshuar një deklaratë ku pretendon se kontrolli i Ngushticës së Hormuzit tani është “kthyer në gjendjen e mëparshme” për shkak të bllokadës së vazhdueshme të porteve iraniane nga SHBA-ja.
Në një deklaratë të cituar nga transmetuesi IRIB i Iranit, komanda e IRGC tha se SHBA-ja ka “vazhduar aktet e piraterisë dhe vjedhjes detare nën maskën e një të ashtuquajture bllokadë”.
“Për këtë arsye, kontrolli i Ngushticës së Hormuzit është rikthyer në gjendjen e mëparshme dhe kjo rrugë ujore strategjike tani është nën menaxhim dhe kontroll të rreptë nga forcat e armatosura”, tha ajo.
“Derisa Shtetet e Bashkuara të rivendosin lirinë e plotë të lundrimit për anijet që udhëtojnë nga Irani për në destinacionet e tyre dhe anasjelltas, statusi i Ngushticës së Hormuzit do të mbetet i kontrolluar rreptësisht dhe në gjendjen e mëparshme”, tha komanda e IRGC-së.
Ndërkohë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, paralajmëroi se mund të mos zgjasë armëpushimin e përkohshëm me Iran nëse deri të mërkurën nuk arrihet një marrëveshje.
Burime iraniane bëjnë të ditur për CNN se delegacionet e dy vendeve pritet të zhvillojnë raundin e dytë të negociatave të hënën, edhe pse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga pala amerikane. Më herët, Trump është shprehur optimist se një marrëveshje është afër.
Trump ka deklaruar gjithashtu se SHBA do të marrë rezervat e uraniumit të pasuruar të Iran “në një mënyrë ose në një tjetër”, duke paralajmëruar se nëse negociatat dështojnë, kjo mund të ndodhë në një formë “më pak miqësore”.
Trump pretendoi se Irani ka rënë dakord për një bashkëpunim me SHBA-në për largimin e uraniumit të pasuruar nga territori i tij, duke theksuar se kjo mund të realizohet pa ndërhyrje ushtarake në terren. Ai shtoi se nëse arrihet marrëveshje, procesi do të bëhet në mënyrë të përbashkët dhe pa konflikt.
Në një tubim në Arizona, Trump përsëriti këto deklarata, duke përdorur termin “pluhur bërthamor” për t’iu referuar rezervave të uraniumit, një term që nuk njihet në industrinë bërthamore.
Irani ka hedhur poshtë pretendimet se ka rënë dakord të ndalojë përfundimisht pasurimin e uraniumit, duke theksuar se nuk do të pranojë të trajtohet si përjashtim nga ligji ndërkombëtar.
Çështja e pasurimit të uraniumit mbetet një nga pikat kryesore që po pengojnë arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve.