Mbyllja e Tik Tok, Kushtetuesja: Është cënuar liria e shprehjes! Reagon Rama

Një vit pas vendimit të qeverisë për mbylljen e rrjetit social TikTok, Gjykata Kushtetuese ka arritur në përfundimin se masa ka cenuar lirinë e shprehjes dhe të shtypit.
Edhe pse qëllimi i qeverisë për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga ndikimet negative të platformës u konsiderua si interes publik legjitim, Gjykata arriti në përfundimin se mbyllja e TikTok u bë me VKM, çka bie ndesh me kriterin kushtetues që kufizimet e lirisë së shprehjes të vendosen vetëm me ligj.
“Për sa i përket kriterit të dytë, të kufizimit për interes publik ose arsye të rëndësishme publike, Gjykata e vlerësoi të përmbushur pasi ai konsiston në mbrojtjen e të drejtave dhe interesit më të mirë të fëmijës dhe të të rinjve dhe qëllimi i VKM-së nr. 151/2025 ka qenë marrja e masave për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line TikTok në nxitjen e dhunës veçanërisht te fëmijët, në shkaktimin e problemeve të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe në shkaktimin e problematikave sociale në tërësi”, thuhet në vendim.
Pas këtij vendimi,, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili në një postim në rrjetin social “X”, shkruan:
“Gjykata Kushtetuese mendoka që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TIKTOK-ut! Fatmirësisht ne e rihapëm TIKTOK-un falë mirëkuptimit që gjetëm tek kompania për masat extra që u morën prej saj, pikërisht falë mbylljes, se të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive s’do kishin ardhur dot! Falë asaj mbylljes sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar”.