Me çiftin gjerman në muzeun e harruar të armëve
Herman dhe Liane Rosteck kthehen për herë të dytë në kalanë e Gjirokastrës, por e gjejnë atë në të njëjtën gjendje të mjerueshme
GJIROKASTËR- Çiftin gjerman, Herman e Liane Rosteck i gjejmë në hyrjen e kalasë së Gjirokastrës, duke parë shënimet që ndodhen aty. Pasi presin biletën prej 200 lekësh të rinj, një taksë për të vizituar kështjellën e Argjirosë, bashkëshortët nisin vizitën e tyre brenda saj. Janë rikthyer pas katër vitesh në qytetin e gurtë dhe natyrisht, një pjesë të kohës ia kanë rezervuar kalasë. Pëllumbat rreth kalasë dhe freskia që ofron në këto ditë tepër të nxehta ky objekt madhështor janë edhe një lloj mirëseardhjeje që u bëhet miqve të huaj. Ndërsa topat e ekspozuar në të dy krahët e rrugës së shtruar me kalldrëm, duket se nuk paraqesin asnjë kërshëri për vizitorët. “Ne jemi gjermanë. Lufta dhe mjetet e saj janë një fobi e vërtetë për ne”,- rrëfen Liane.
***
Megjithatë, ndalesa e radhës është muzeu i armëve. Një tjetër pagesë prej 200 lekësh në këtë pjesë të kalasë, që administrohet nga bashkia. Dilema nëse është një muze kombëtar, ashtu sikurse është shkruar në hyrje apo lokal vazhdon të diskutohet ende në Gjirokastër, por kjo nuk përbën problem për asnjë prej vizitorëve vendas e të huaj. Gjendja aktuale e kalasë, e cila vazhdon të jetë e pandryshueshme prej shumë viteshe që lë shumë për të dëshiruar është problemi i vetëm që prezantohet në sytë e këtyre turistëve të ardhur për herë të dytë nga Gjermania. Një skulpturë madhështore në hyrje të kalasë, që simbolizon princeshën Argjiro me fëmijën e vet në gji i bën shumë përshtypje çiftit. Ciceronia Teuta Kallajxhi u rrëfen legjendën, me të cilën njihet më së shumti historia e kalasë shekullore. Më tej, ngjitja e shkallëve të përball me problemin e parë që has tek ky muze, lagështirën. Megjithëse është verë, hartat e stërmëdha të krijuara në mure dhe era e rëndë e mykutnuk të lënë indiferentë. Vizitorët gjermanë udhëhiqen nga ciceronia në të vetmin pavion që pasqyron historinë e luftës, që nga epoka e gurit e deri në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.
***
Megjithëse, në pamje të parë gjithçka duket në rregull, mungesat e shumta në të bien në sy nëse ndjek me vëmendje shpjegimet. Nuk mjaftojnë as pikturat në mure, të mbetura qysh para viteve 1990 që pasyqrojnë më së shumti përpjekjet e mëdha për t’ia dalë vetë përpara pa ndihmën e askujt, madje edhe disa stenda pa asnjë lidhje me një muzeum.Ajo që çiftit gjerman i bie më së shumti në sy është një gunë e pasqyruar në hyrje të sallës., ndërsa armët zgjojnë kujtime aspak të këndshme.Janë rreth 1000 objekte që përbëjnë fondin e këtij muzeu. Më parë ato ishin të ekspozuara në dy salla kryesore: njëra e vendosur në katin e parë të muzeut dhe tjetra në katin e dytë. Në sallat e katit të parë ishin të ekspozuara armë të periudhës së gurit e të bronxit, ndërsa një kat më lart ato të luftës së Parë e të Dytë Botërore. Në vitet e monizmit ky muze përbënte një nga krenaritë e qytetit. Fama e tij është zbehur, bashkë me kalimin e viteve.
***
“Nëse ka diçka që na bën të ndihemi keq e me turp është pikërisht lufta. Unë kam humbur gjithë familjen time gjatë saj. Tani që shoh këto armë, një pjesë e mirë e të cilave u janë dashur shqiptarëve për t’u mbrojtur nga ne, ndihem akoma edhe më keq. Por shoh se asgjë nuk ka ndryshuar në këtë muze që nga vizita jonë e parë. Në qytetin tim, Mynih ka disa kështjella të vogla, por për nga madhështia nuk mund të krahasohen me këtë të qytetit tuaj. Të ardhurat që duhet të mblidheshin prej saj do ishin marramendëse, nëse do të gjendesin mënyra të efektshme menaxhimi”, -vijon edhe më tej Liane Rosteck. Fakti që një pjesë e mirë, rreth 300 objekte me vlerë që nga epoka e gurit e deri në atë më të vonën nuk ekspozohen për shkak të mungesës së vendit dhe që prej vitesh ndodhen të grumbulluara e magazinuara në një vend aspak të përshtatshëm, nuk është një informacion që mund t’iu serviret turistëve. Lagështia që ka zaptuar objektin po rrezikon armët e veprat e tjera të artit që ndodhen në pavionin e sipërm të muzeut. Përballë kësaj gjendjeje, të gjithë ngrenë supet, sikur fajin ta kishin këto objekte që dikur dëshmonin historinë e sot janë kthyer në sende që nuk përcjellin asnjë mesazh.
“Gjithçka që na kujton luftën për ne veçanërisht është një makth. Ju brezat që nuk e keni parë, ndoshta nuk e kuptoni mirë. Jam e lumtur që tani ka vetëm paqe, ja si kjo atmosferë që ekziston këtu. Është e natyrshme që do kthehemi sërish, sa herë të vizitojmë Shqipërinë”. Kjo është përshëndetja e fundit e Lianës dhe Hermanit, bashkëshortit të saj.
INVESTIMET
Paratë e çuara dëm në kalanë e Gjirokastrës
Viti 2002 shënon fillimin e investimeve për kalanë e Gjirokastrës. Duke parë dëmin e madh që shkaktohej nga lagështia që vinte prej tarracës u dha një fond prej 30 milionë lekësh të vjetra për hidro-izolimin e saj. Investimi nuk pati efekt. Në shiun e parë që ra pas përfundimit të punimeve, tavani nisi të pikojë sërish. Në vitin 2003, një tjetër fond prej 40 milionë lekësh të vjetra u akordua për dy qëllime. Së pari, për zhveshjen e mureve nga suvaja me qëllim kthimin e tyre në identitet, si muret e tjerë origjinalë të kalasë dhe një pjesë e fondit sërish për hidro-izolim. Po gjatë vitit 2005 jepet sërish një fond me të njëjtën vlerë 40 milionë lekë për zhveshjen e mureve. Organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar “Gjirokastra 2004” u pa si shpresë për rregullimin përfundimtar të muzeut dhe pritej dhënia e fondeve për ngritjen e stendave të prishura më parë. Por as këtë herë problemi nuk mori zgjidhje.