E Diel, 1 Nëntor 2026

Me dy kate, Eurostar investon 2 mld euro për trenat që do të nisin shërbimin nga 2031

Kompania hekurudhore Eurostar ka njoftuar blerjen e deri në 50 trenave të rinj me dy kate, që do të përdoren në linjat kryesore nga Parisi, Brukseli, Amsterdami dhe Këlni drejt Londrës.

Trenat do të kalojnë përmes Tunelit të Kanalit dhe janë pjesë e një marrëveshjeje 2 miliardë euro me prodhuesin francez Alstom.

Modelet e reja, të quajtura “Celestia”, do të jenë plotësisht elektrikë dhe do të hyjnë në qarkullim nga viti 2031.

Sipas Eurostar, trenat e rinj do të kenë 20% më shumë vende, tavan më të lartë dhe dysheme më të ulët se modelet aktuale.

Çdo tren do të mund të mbajë mbi 1,000 pasagjerë dhe do të jetë 4.33 metra i lartë. Përpara se të hyjnë në shërbim, ata do të kalojnë një proces certifikimi njëvjeçar për përdorim në të gjitha vendet ku operon Eurostar.

Megjithëse trenat me dy kate janë të rrallë në Mbretërinë e Bashkuar, linja hekurudhore nga hyrja e tunelit në Folkestone deri në Londër është ndërtuar sipas standardeve evropiane.

Eurostar transportoi 19.5 milionë pasagjerë vitin e kaluar dhe synon ta çojë këtë shifër në 30 milionë.

Aktualisht, ajo është e vetmja kompani që ofron udhëtime hekurudhore përtej Kanalit midis Londrës dhe Parisit. Por sfida po vjen edhe nga kompani të tjera si startup-i spanjoll Evolyn, Virgin dhe një bashkëpunim mes Gemini Trains dhe Uber.

Të gjitha këto subjekte po kërkojnë leje për të hyrë në treg, ndërsa autoritetet britanike po shqyrtojnë planet e zgjerimit.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›