E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në kohë reale”- Vrasja e dyfishtë në Manzë, gazetarja sjellë detaje: Flori Paluçi, pjesë e një bande të dhunshme siciliane

Një ngjarje tragjike me dy viktima tronditi vendin mëngjesin e kësaj të mërkure. Vrasja e dyfishtë ndodhi në një lokal pranë një karburanti në Manzë, pas një konflikti për motive të dobëta, teksa nga të shtënat humbën jetën Aranit Kurtib dhe Flori Paluçi, ndërsa Daniel Pepa është shpallur në kërkim. Gazetarja Bleona Prengëza raportoi për emisionin “Në kohë reale” nga vendi i ngjarjes, ku puna në lokal kishte rifilluar normalisht, pavarësisht se vetëm disa orë më parë aty ndodhi një përplasje fatale me armë.

Sipas gazetares Prengëza, një nga viktimat, Flori Paluçi, rezulton i skeduar nga autoritetet italiane për grabitje me dhunë. Në vitet 2014–2015, ai ka qenë pjesë e një bande të dhunshme në Sicili, e përbërë nga shtatë persona, që hapnin vrima në muret e bizneseve për të kryer grabitje. Paluçi u arrestua në vitin 2015 dhe prokuroria italiane e përshkroi grupin si “shumë të rrezikshëm”.

Dinamika e ngjarjes: Nga një kafe e refuzuar, në përplasje me armë

Ngjarja nisi kur Daniel Pepa dhe Aranit Kurti hynë në lokal dhe kërkuan kafe. Kamerieri u shpjegoi se ekspresi ishte i fikur, por Pepa insistoi me fjalë fyese që t’u shërbehej. Në atë moment ndërhyri Flori Paluçi, i cili po qëndronte në një tavolinë me kamerierin, duke i kërkuar Pepës të ndalonte ofendimet. Debati u përshkallëzua në përplasje fizike dhe më pas në përdorim armësh.

Sipas dëshmisë së kamerierit, i pari që qëlloi ishte Flori Paluçi, i cili vrau Aranit Kurtin. Më pas, Daniel Pepa qëlloi dhe vrau Paluçin.

Komisariati përballë vendit të ngjarjes

Një detaj që ngre pikëpyetje është fakti se përballë lokalit ndodhet komisariati i policisë së zonës. Ndërkohë, nga ana tjetër asnjëra nga kamerat e sigurisë në zonë nuk ka regjistruar momentin e ngjarjes, për shkak të pozicionimit të tyre që nuk mbulon ambientet e lokalit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›