E Diel, 1 Nëntor 2026

Me kartat e Endritit blija pajisje tek qendrat tregtare

 

Ish-punonjësi i bankës, Kreshnik Luka, fundos Endrit Gjergjanin: Më kërcënoi që të mos e padisja në polici

TIRANË- Ish-punonjësi i Bankës Amerikane rrëfehet para gjykatës, duke fundosur me dëshminë e tij kreun e bandës së bankomateve, Endrit Gjergjanin. Paraditen e djeshme, rreth orës 10:00, toga e shoqërimit solli në sallën nr.1 të Gjykatës së Shkallës së Parë 17 të arrestuarit e katër ditëve më parë gjatë operacionit të policisë të koduar me emrin “Matrix 4”. Pas ardhjes së tyre në sallën e gjyqit, gjyqtari i hetimit, Agron Zhukri, filloi shqyrtimin e kërkesës së prokurorit të çështjes, Armand Gurakuqi, për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj të akuzuarve për 400 vjedhje me anë të mashtrimit. I pari që doli para togave të zeza ishte 23- vjeçari Kreshnik Luka, i cili preferoi të fliste vetë para gjyqtarit dhe prokurorit. Menjëherë pas deklarimit të gjeneraliteteve, i riu i lindur në Mirditë dhe me banim në kryqyetet, filloi rrëfimin e tij për njohjen me “piratin” e kompjuterave, Gjergjani, e deri tek vjedhjet dhe kërcënimet që ka marrë për jetën nëse tregonte.

***

“Kam punuar tek Banka Amerikane gjatë vitit 2002. Pasi kam lënë punën, kam marrë vlerësime pozitive nga shefat dhe drejtuesit që kisha aty. Unë kisha mundësi të vidhja gjatë kohës që punoja aty, por nuk e kam bërë, pasi nuk jam hajdut. Me Endrit Gjergjanin njihem prej kohësh, pasi jetojmë në të njëjtin pallat në rrugën “Myslym Shyri” në kryeqytet. Nga mesi i vitit 2007, Endriti më ka kërkuar ndihmë, duke më porositur t’i blej me një kartë krediti disa pajisje elektronike tek QTU-ja.Pasi ia kam bërë këto blerje, ai më ka kërkuar të njëjtën gjë edhe herë të tjera”,-ka thënë Luka para gjykatës. Ai shtoi se dyshimi i kishte lindur teksa po blinte me kartën e Gjergjanit disa pajisje të tjera elektronike, në një qendër tregtare në Tiranë. “Në kohën që po bëja pagesën me kartën që më kishte dhënë Endriti, ajo u bllokua dhe këtu e kuptova që diçka nuk shkonte. I kërkova llogari për këtë Endritit dhe më tha: “s’ka ç’të duhet ty, këto janë punë të miat”. Që nga ky moment u shkëputa nga ai, por llogaria ime bankare është përdorur për transferta parash nga Endriti”,-ka shtuar i akuzuari në dëshminë e tij.

***

Tërheqja nga blerjet me karta krediti false nuk ka qenë e thjeshtë për Kreshnik Lukën. Ai ka shtuar para gjykatës se Gjergjani e kishte kërcënuar, me anën e disa shokëve të tij, madje i kanë dërguar mesazhe kërcënuese telefonike. “Endriti, për të më diskretituar në publik, kur kemi qenë në Sarandë me pushime ka shpërndarë nëpër rrugët e qytetit disa postera me fytyrën time, ku thuhej që unë isha person në kërkim”,-tha ai, duke kërkuar lirimin nga qelia, me pretendimin se është jetim dhe kujdeset për vëllanë e vogël. Lirimin nga qelia e ka kërkuar edhe avokati i të pandehurit Endri Mezuraj, duke pretenduar se klienti i tij është i pafajshëm. “Prindërit e Endrit janëbiznesmenë të rëndësishëm në Shqipëri dhe djali nuk ka pasur arsye të vidhte. Prindërit e tij kanë llogari shumë milionëshe dhe janë gati të paguajnë garanci pasurore në çdo nivel që do ta çmojë gjykata të nevojshme”,-tha ai, duke treguar se njohja e Endri Mezurajt me organizatorin e vjedhjeve, Endrit Gjergjanin është është bërë në qendrën e një internet- kafeje, pasi Mezuraj kishte pasion lojërat kompjuterike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›