Zjarrfikësit plan të veçantë masash për eliminimin e zjarreve
Efektivat zjarrfikës në Qarkun e Gjirokastrës kanë publikuar një plan të veçantë operacional për eliminimin e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore dhe kullosore në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës. Ky plan përfshin deri ne detaje masat profesionale dhe teknike të efektivave zjarrfikës për të përballuar me sukses sezonin e zjarreve. “Efektivi në të tri stacionet zjarrfikës në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës është i përgatitur profesionalisht, teknikisht e fizikisht të përballojë mesa më pak kosto situatat e zjarreve dhe shpëtimi”, thotë shefi i efektivave zjarrfikës në Prefekturë, Lefter Qirici. Sipas tij në këtë siguri ndikon edhe përvoja që kanë krijuar zjarrfikësit gjatë vitit të kaluar kur operacionet e tyre u shtrinë edhe jashtë kufijve të vendit duke ndihmuar edhe kolegët grekë në shuarjen e vatrave të zjarrit dhe evakuimin e popullatës. Sipas Qiricit, automjetet, mjetet e pajisjet janë në gjendje të gatishmërisë teknike dhe shërbimet ndaj tyre bëhen me përparësi në kohë sa më të shkurtër edhe nga vetë personeli operues. Ndërkohë efektivat zjarrfikës e konsiderojnë verën e sivjetshme si sezon favorizues për zjarret për shkak të zhvillimit të bimësisë së shumtë në muajt e pranverës. Në këtë drejtim efektivat zjarrfikës gjatë ditëve të fundit kanë ushtruar një sërë kontrollesh në lidhje me masat e mbrojtjes nga zjarri nga ana e institucioneve dhe popullatës. “Ne kemi ushtruar kontrolle në të gjitha objektet që prodhojnë, përpunojnë, magazinojnë e tregtojnë lëndë të ndezshme e të djegshme”, -thotë Qirici. Madje zjarrfikësit kanë rekomanduar edhe pastrimin e territoreve të tyre nga lëndë të ndezshme si bimësia, lëndët e djegshme etj. Në këtë plan masash efektivat zjarrfikës kanë gjetur edhe mbështetjen e Shërbimit Pyjor në të tri rrethet e Qarkut. Ndërkohë efektivat zjarrfikës për përballimin me sukses së sezonit të zjarreve do të bashkëpunojnë edhe me kolegët e tyre grekë.”Aktualisht kemi elementë bashkëpunimi me efektivat e zjarrfikësve të Janinës në rastet e emergjencave”, thotë Qirici. Gjatë verës së kaluar Jugu i vendit u përfshi nga rreth 300 zjarre ndërkohë që në policinë lokale u shoqëruan 44 persona të cilët dyshoheshin për zjarrvënie të qëllimshme.