E Diel, 1 Nëntor 2026

“Më quan nënën e djalit të tij”, Taylor Swift kërkon urdhër mbrojtje ndaj një burri që e përndjek prej muajsh

Këngëtarja e njohur Taylor Swift ka paraqitur në gjykatë një kërkesë për urdhër ndalimi ndaj një burri 45-vjeçar nga Kolorado, i cili, sipas saj, po e përndjek në mënyrë të vazhdueshme dhe shqetësuese. Sipas dokumenteve ligjore të siguruara nga NBC, burri i identifikuar si Brian Jason Wagner ka nisur që prej korrikut 2024 të shfaqet rregullisht pranë shtëpisë së saj në Los Angeles, duke pretenduar në mënyrë të rreme se është në një lidhje me këngëtaren dhe se ajo është nëna e fëmijës së tij.

Swift pohon se Wagner është ndalur çdo herë nga stafi i saj i sigurisë, por prania e tij e përsëritur dhe deklaratat e rreme kanë sjellë shqetësim të madh. “Ai pretendon se jeton në shtëpinë time, se jemi në një marrëdhënie dhe se jam nëna e djalit të tij – asnjëra nga këto nuk është e vërtetë,” thuhet në dëshminë e këngëtares.

Situata është përshkallëzuar muajt e fundit, pasi Wagner është shfaqur dy herë vetëm gjatë muajit të fundit në rezidencën e saj. Swift tregon se edhe gjatë kohës kur ai ishte në burg në vitin 2023, kishte nisur t’i dërgonte asaj letra dhe mesazhe të gjata me përmbajtje obsesive dhe kërcënuese.

Më tej, këngëtarja zbulon se Wagner ka ndërmarrë veprime shqetësuese si: dërgimi i qindra mesazheve stafit të saj, tentativat për të ridrejtuar postën e saj, dhe madje ka raportuar në mënyrë të rreme një adresë të re në Departamentin e Automjeteve të Kalifornisë, duke përdorur shtëpinë e saj si adresë të tij personale.

“Prania e tij e përsëritur, komunikimi kërcënues dhe fakti që ka tentuar të hyjë në pronën time më kanë bërë të ndjehem seriozisht e kërcënuar për sigurinë time dhe të familjes sime”, përfundon Swift në deklaratën e saj drejtuar gjykatës.

Autoritetet pritet të shqyrtojnë kërkesën për urdhër ndalimi në ditët në vijim.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›