Më shumë jehonë nga mungesa sesa nga protesta, videoja virale nga Përrenjasi

Një protestë e thirrur në Përrenjas ka përfunduar në mënyrën më të pazakontë të mundshme, pasi në vendin e tubimit është paraqitur vetëm organizatori.
Megjithatë, mungesa e qytetarëve duket se ka tërhequr më shumë vëmendje se sa do të kishte marrë një protestë e mbushur me pjesëmarrës. Videoja e publikuar në rrjetet sociale, ku shihet organizatori i vetëm duke iu drejtuar një sheshi bosh, është shpërndarë gjerësisht dhe ka nxitur reagime të shumta.
Në fjalën e tij, organizatori ironizoi mungesën e pjesëmarrësve:
“Mirëmbrëma, mirë se keni ardhur. Në fakt ju nuk keni ardhur, nuk ka problem, erdhëm ne. Thamë ta organizonim një protestë në Përrenjas, por mesa duket ju nuk paskeni halle e probleme fare. Kisha ndërmend t’ju thoja ca fjalë, por nuk jua them dot. Ju falënderojmë që na shihni nga kafja.”
Ai përmendi edhe figurat e njohura të rezistencës antikomuniste, Genc Blloshmi dhe Vilson Blloshmi, duke shtuar:
“Nëse Genc Blloshmi dhe Vilson Blloshmi mos u tregoni se ishin nga këto anë, se ata do dridhen në varr.”
Videoja është komentuar gjerësisht në rrjet, ku shumë përdorues e kanë parë si simbol të indiferencës qytetare ndaj protestave dhe angazhimit publik.
Në fund, ajo që ra më shumë në sy nuk ishte mesazhi i protestës, por mungesa totale e protestuesve. Në këtë rast, indiferenca duket se foli më fort se mijëra zëra.