Veteranët e luftës në Kosovë: LVV të mos e politizojë më kot protestën e së premtes

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar pas deklaratës së bërë nga Lëvizja Vetëvendosje, duke deklaruar se kjo forcë politike po tenton të zbehë qëllimin e protestës që do të mbahet ditën e premte (17 tetor) në Tiranë në mbështetje të UÇK-së.
Sipas një reagimi të bërë në rrjetin social Facebook, OVL-UÇK, thekson se protesta që do të mbahet në sheshin “Skënderbej” është zëri i popullit shqiptar, i veteranëve dhe i familjeve të dëshmorëve, teksa bën të qartë se nuk ka asnjë forcë politike që mund të ndalë apo përvetësojë këtë zë.
“Deklarata e Lëvizjes Vetëvendosje, e lëshuar mbrëmë vonë, tregon qartë se kjo parti po përpiqet të politizojë dhe të zbehë qëllimin e protestës së madhe që do të mbahet në Tiranë më 17 tetor. Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike – ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë. Nuk ka forcë politike që mund ta ndalë apo ta përvetësojë këtë zë”, thuhet në reagim.
Më tej, OVL-UÇK thekson se nuk do të lejojë që lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përdoret për interesa partiake.
Sipas reagimit të kësaj organizate, me anë të protestës kërkohet drejtësi për luftëtarët e Kosovës dhe ndëshkim për krimet e kryera nga Serbia.
“Protesta e Tiranës është protestë e kombit, jo e partive. Aty do të jenë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, për të treguar se UÇK-ja është nderi i kombit dhe s’ka gjykatë që mund ta njollosë atë. Në të njëjtën kohë, OVL UÇK shpreh falënderim të sinqertë për Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili është treguar zë i qartë dhe mbështetës i kësaj kauze të drejtë, si dhe për institucionet shqiptare që kanë dhënë mbështetje të plotë për mbarëvajtjen dhe organizimin e protestës në Tiranë”, thuhet më tej në reagim.
Në një postim në rrjetet sociale, Lëvizja Vetëvendosje u shpreh se qëndronte në krah të qytetarëve që protestojnë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Megjithatë, theksoi se institucionet shqiptare duhet të angazhohen për ta trajtuar këtë çështje në instancat ndërkombëtare ku Shqipëria është pjesë.
Protesta në mbështetje të UÇK-së do të zhvillohet nesër në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku do të marrin pjesë figura të rëndësishme politike, si ish-presidenti Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Në mbështetje do të ketë edhe nga rektorë universitetesh, tifozët “Kuq e Zi”, si dhe nga shumë qytetarë e shoqata në Kosovë e Shqipëri.
Qëllimi i protestës është shprehja e solidaritetit me ish-krerët e UÇK-së që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare, dhe kundërshtimi i asaj që e konsiderojnë padrejtësi në proceset gjyqësore në Hagë.
/rtsh.al/