Media në epokën digjitale, anketimi me 236 gazetarë tregon se është profesion i paqëndrueshëm

Rrugëtimi në kohë i gazetarisë në Shqipëri sot ka kaluar në një tjetër dimension.
Nëse media e djeshme projektonte audiencën, sot ndodh e kundërta. Hyrja në epokën digjitale e ka vënë përballë sfidave të reja profesionin e gazetarit. Gjetjet e anketës së realizuar nga Departamenti i Gazetarisë, ku u përfshinë 236 gazetarë të 6 medieve në vend, tregon se sistemi mediatik në Shqipëri ka hyrë në epokën digjitale.
“Kemi bërë një anketim shumë të detajuar me 101 pyetje që lidhen me mënyrën sesi është transformuar profesioni i [gazetarëve]. Së pari, sipas anketimit, ne kemi kaluar tashmë në epokën digjitale në kuptimin e profesionit të gazetarit. Gjëja që nuk ka ndryshuar akoma janë disa praktika të gazetarisë lineare tradicionale, p.sh. formatet televizive,” tha Prof. Mark Marku.
Ai u ndal edhe tek përdorimi i ChatGPT-së si një nga diskutimet në rang global.
“ChatGPT nuk është gazetar. Duhet të ketë rregulla për përdorimin e Inteligjencës Artificiale. Duhen respektuar parimet e kopirajtit. Janë përmbajtje e gjeneruar. Makinë, makinë… por është autor,” theksoi dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë.
Ky anketim ka gjetur mbështetje edhe nga Autoriteti i Medieve Audiovizive (AMA).
“Ne do të jemi shumë të vëmendshëm. Do ta shfrytëzojmë, ta qëmtojmë dhe të kuptojmë nëse do të ketë nevoja për të hedhur hapa të mëtejshëm, ndoshta jo vetëm ligjorë, por rregullues, vetërregullues dhe bashkërregullues me të gjithë ambientin e medies audiovizive, në veçanti me gazetarët e saj,” deklaroi kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.
Gjetjet e anketimit tregojnë se ky profesion nuk është i qëndrueshëm, kjo për faktin se një pjesë e mirë e gazetarëve punojnë si krahë i lirë pune me një pagese modeste.
Dhe kjo është arsyeja pse shumë prej tyre e braktisin shpejt këtë profesion.
Gazetare: Elda Hallanjaku
/rtsh.al/