E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: Dakord me pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, por duhet analizë për efektet e kësaj organizate te Kosova

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit, kërkoi që qeveria shqiptare të bëjë një analizë të plotë mbi efektet që mund të ketë pjesëmarrja e Shqipërisë në Bordin e Paqes të iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump, sidomos në raport me interesat e shqiptarëve në rajon dhe çështjen e Kosovës.

Mediu theksoi se zhvillimet në Gaza mund të krijojnë një precedent më të gjerë në vende të ndryshme të botës dhe se Shqipëria duhet të vlerësojë me kujdes pasojat e kësaj nisme.

 “Ka një politikë të jashtme Shqipëria, që sigurisht është në kuadër të NATO-s dhe BE-së, por disa vende të BE-së dhe jashtë saj, sikurse është Britania e Madhe, kanë shprehur një shqetësim për një analizë më të thellë në raport me Bordin e Paqes, për faktin se kjo ftesë është adresuar edhe Presidentit të Rusisë, Putin. Duke parë se ajo që do të zhvillohet në Gaza mund të zhvillohet dhe si precedent më i gjerë, a ka një analizë nga qeveria apo nga Këshilli i Sigurimit Kombëtar të Shqipërisë, pikërisht me elementë të mundshëm që mund të afektojnë interesat jo vetëm të shqiptarëve në Shqipëri, por edhe interesat e shqiptarëve në rajon?”

Ai shtoi se pesha e Shqipërisë në vendimmarrjen e Bordit të Paqes është e kufizuar, prandaj është e domosdoshme një vlerësim i hollësishëm për ndikimet e mundshme.

“E them këtë sepse mund të bëhemi anëtarë të këtij Bordi Paqe, por pesha dhe relevanca jonë është krejt irrelative në raport me vendimmarrje. Duke qenë dakord 100% që ne të jemi në Bordin e Paqes, mendoj që duhet të kishim edhe një analizë për efektet që mund të ketë ky Bord Paqe për çështje akoma që janë në pritje, dhe në mënyrë të veçantë e kam fjalën për çështjet që ka Kosova,” deklaroi Mediu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›