E Enjte, 5 Nëntor 2026

Mediu: Ky buxhet nuk jep shpresë për ekonominë kombëtare

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Deputeti i opozitës Fatmir Mediu gjatë fjalës së tij në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2025, tha se ky buxhet nuk jep shpresë për ekonominë kombëtare.

Duke folur në emër të grupit parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, Mediu u shpreh se Shqipëria vijon të jetë një vend ku pastrohen paratë e drogës dhe është kthyer në parajsën e krimit.

Po ashtu Mediu ceku edhe fenomenin e largimit të të rinjve nga vendi.

“Ka kohë që fjala ka humbur peshën dhe vlerën në këtë Kuvend. Edhe rregullorja dhe interesi qytetar. Jetojmë në kohë absurdi dhe qeverisje absurd. Shqiptarët po braktisin vendin dhe qeveria krenohet. Për kë lulëzohet Shqipëria? Për të rinjtë dhe të rejat, profesionistët që që ikin të pashpresë çdo ditë nga ky vend?

Mbi 1 e 3 e qytetarëve shqiptarë janë larguar. Qeveria e konsideron fenomen normal. Ka njerëz që mendojnë se një Shqipëri pa shqiptarë, një shoqëri që plaket, që tulatet është më e lehtë për ta manipuluar dhe për të mbajtur pushtet të përjetshëm dhe të shpallim veten zot në një vend ku nuk ka më as rregull as ligj, as Kushtetutë.

Shqipëria ku pastrohen paratë e krimit, është parajsa e krimit që dikton. Le ta shikojmë realitetin siç është. Në një vend ku intelektualët përbuzen, ku cubat dhe kriminelët bëjnë ligjin, nuk është shoqëria e shqiptarëve, por është shoqëri e krimit dhe korrupsionit.

Taksat janë para të qytetarëve shqiptarë. Janë për t’i shërbyer njerëzve në nevojë, jo për t’i mbajtur ata në mëshirë dhe varfëri. Për të garantuar minimumin jetik. Ky buxhet nuk jep shpresë për ekonominë kombëtare dhe njerëzit në nevojë”- u shpreh Mediu.

Duke u ndalur tek bonusi për pensionistët, Mediu tha se është tallja e radhës e qeverisë, ndërsa shtoi se sot duhet të diskutoheshin mekanizmat e qeverisë për të ndërtuar një ekonomi për të rinjtë dhe të rejat.

“Bonusi për pensionet është tallje e radhës me prindërit tanë. Sot po i shoqërojmë me përbuzjen dhe varfërinë. Sepse djemtë dhe vajzat i kanë në emigracion. Çdo lloj diskutimi se po bëhet diçka për Shqipërinë dhe shqiptarët është një gjë qesharake. Sot duhet të diskutonim, kush do ishin mekanizmat e qeverisë për të ndërtuar një ekonomi për të rinjtë dhe të rejat”- u shpreh Mediu.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›