Memaj: Subvencioni për naftën shmangu kolapsin e transportit publik. Marrëveshja nga 1 marsi, takim i ri javën e ardhshme për taksat

Transporti publik në vend u rikthye në funksionim të plotë, pas situatës kaotike të shkaktuar nga reduktimi me 40% i flotës së autobusëve, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës.
Zgjidhja erdhi pas një takimi të zhvilluar një ditë më parë (16 prill) mes Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban me përfaqësues të qeverisë, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Ekonomisë dhe Bashkinë e Tiranës.
Sipas dakordësisë, shteti do të mbështesë me një subvencion prej 50 lekësh për litër nafte gjatë 3 muajve të parë, ndërkohë kushtet dhe vlera e mëtejshme e subvencionit do rikthehet pas përfundimit të kësaj periudhe.
Dashnor Memaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Interurban Ndërqytetas i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” bëri me dije se marrëveshja parashikon një periudhë tre mujore zbatimi, duke nisur nga 1 marsi. Sipas tij, nëse çmimet e naftës do të bien në nivelet para krizës, është propozuar ndërprerja e subvencionit dhe rishikimi i taksave makro. Në të kundërt, nëse kriza vijon, pritet shtyrja e afatit të subvencionit dhe rivlerësimi i mbështetjes në varësi të çmimeve.
“Bëhet fjalë për një periudhë tre mujore, nga 1 marsi. Nëse do ketë rënie të çmimit sikurse ishte para luftë, propozimi ynë është të ndërpritet subvencioni, të rishikohen taksat makro. Nëse do ketë zgjatje krize çmimi, do ketë dhe shtyrje të afatit të subvencionit për një periudhë tjetër. Vlera në të cilën do kompensohet në vazhdimësi në varësi të çmimeve të karburantit, do rishikohet he do jemi në kontakt me institucionet që situata të tilla kaosi të mos përsëritet më. Duhen marrë masa të menjëhershme afatgjatë për të përmirësuar situatën e transportit, duke përmirësuar infrastrukturën, flotën e transportit, etj, në mënyrë që qytetarët të drejtohen drejt transporti publik dhe jo drejt makinave, duke ulur kështu nivelin e ndotjes, duke përmirësuar trafikun, etj,”, deklaroi ai.
Memaj theksoi se do të ketë komunikim të vazhdueshëm me institucionet, me synim shmangien e situatave të ngjashme në të ardhmen. Ai nënvizoi nevojën për masa afatgjata, si përmirësimi i infrastrukturës dhe modernizimi i flotës, për të nxitur qytetarët të përdorin më shumë transportin publik dhe për të ulur ndotjen dhe trafikun. Gjithashtu, operatorëve u është premtuar një takim i dytë javën e ardhshme për të rishikuar kërkesat e tyre makroekonomike, përfshirë TVSH-në në shitje dhe taksën e qarkullimit për sektorin e transportit publik.
“Na u premtua dhe një takim i dytë javës që vjen për të rishikuar kërkesat makro që kemi bërë ne, siç është TVSH në shitje apo rritja e taksës së qarkullimit për sektorin e transportit publik. Kjo mbetet për t’u parë sepse janë komponentë që ndikojnë në ecurinë e secilit operator”, shtoi ai.
Memaj e cilësoi situatën e krijuar si të jashtëzakonshme, duke theksuar se operatorët kishin ezauruar të gjitha mundësitë përpara se të vendosnin reduktimin e flotës me 40%. Ai përshkroi se si stacionet u mbushën tej mase dhe qytetarët hasën vështirësi serioze për të arritur në kohë në destinacionet e tyre.
“Transporti publik po shkonte drejt kolapsit total”, u shpreh ai, duke shtuar se reagimi i institucioneve erdhi vetëm pas përkeqësimit të situatës në terren.
Megjithëse kërkesat fillestare të operatorëve nuk u plotësuan plotësisht, ata pranuan marrëveshjen për të rikthyer flotën e plotë në funksion, duke marrë parasysh situatën e rënduar.
Megjithatë, përfaqësuesit e sektorit paralajmërojnë se transporti publik vijon të mbetet në krizë dhe kërkon zgjidhje të qëndrueshme përtej masave të përkohshme.
/rtsh.al/